

"Si mund të dal në debat me ish-kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, kur nuk më ka lënë njerëz të vdekur e të gjallë të shtëpisë sime, pa i pështyrë dhe shkelur me këmbë".
Këtë pyetje shtroi kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive që u transmetua mbrëmjen e të shtunës në A2.
Rama nxori kështu një arsye sipas tij pse nuk ballafaqohet në debat publik dhe mediatik me Berishën, pasi ky i fundit shumë herë e ka ftuar.
“Nuk i përmbush kushtet për të pasur fatin e një debati me mua, një individ katran me bojë, i cili nuk ka lënë të vdekur e të gjallë të shtëpisë sime, pa pështyrë e pa shkelur me këmbë”, tha z.Rama, i pyetur pse e refuzon përballjen me kreun e Partisë Demokratike.
Megjithatë, argumenti i përdorur nga Rama nuk duket bindës në kushtet kur debatet dhe përballjet publike të forcave kryesore janë shumë të rëndësishme dhe praktikë e përhershme në gjithë botën.
Që nga viti 2001, kur ishte e vetmja herë që pati një debat publik në ish Gjeli Tv mes Nanos dhe Berishës e më tej në Opinion të Blendi Fevziut, kanë kaluar 24 vite që vendit i mungon përballja e liderëve të politikës që vendos për fatet e vendit.
Rëndësia e debateve është aq e madhe, mjafton të kujtohet fakti se debati i Trampit me Bajden çoi në dorëheqjen e presidentit në detyrë, gjë që i hapi rrugën fitores së biznesmenit kontrovers.
Edi Rama, duke refuzuar Berishën në debat, refuzon dhe çdo kandidat tjetër për kryeministër.
Publikisht, disa prej tyre e kanë ftuar në debat, si avokati Adriatik Lapaj, ish kreu demokrat, Lulzim Basha, etj.
“Nuk i njoh si kundërshtarë… ë kuptimin që ata tani janë… por, me Lulin unë më shumë se sa të komunikoj me video “selfie”, nuk besoj se mund të bëj”, u përgjigj Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






