

Ndërsa Shkodra Elektronike po përgatitet të ngjitet me “Zjerm” në skenën e Eurovizionit 2025, autorët ishin të ftuarit e të premtes mbrëma në RTSH.
Gjatë bisedës mbi vargjet, muzikën e interpretimin e këngës fituese që mori kupën e Fest ’63, artistët u pyetën për ngacmimin që i solli vargjet e saj goditëse e që për publikun erdhën në shkodranishte.
Lekë Gjeloshi tregoi sesi lindi ideja, madje edhe variantin e saktë.
“Zjerm”, kënga që bëri kthesën e shijes muzikore “festivaleske”, përveçse përfaqësuese shqiptare në Eurovision 2025, është emblema që bashkoi artistë elitarë shqiptarë.
Nëse ajo lindi spontanisht, në bashkëpunimin mes Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës, të cilët morën edhe mbështetjen e Lekë Gjeloshit për vargjet, zinxhiri i artë nuk këputet këtu. Kënga, bashkëpunimi, ideja, interpretimi… të gjitha u bënë ndjellëse për të tjerë artistë multimedialë në kornizën “alla shqiptare”.
Lekë M. Gjeloshi është një artist 37 vjeçar shqiptar, i cili, jeton dhe punon në Shkodër. Është diplomuar për arte pamore në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Në vitin 2015 u shpall fitues i çmimit “Idromeno”, ndërsa më 2016 fitoi çmimin “Ardhje”. Në vitin 2018 ishte artist rezident në Rezidencën Unlimited në Nju-Jork. Aktualisht, punon edhe si kurator pranë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Shkodër.
Ardian Paci, miku i tyre artist multimedial, i dhuroi dyshes një klip të punuar enkas për ta… ide, që siç tha ai vetë, lindi duke dëgjuar e punuar për “Zjerm”. Po ashtu edhe një emër si Rubin Beqo, promotori kulturor i mirënjohur, është ai që ka firmën e tij në këtë realizim.
Artistët treguan se menjëherë pas prezantimit në Eurovision 2025, “Zjerm” vjen për publikun e gjerë me “cover” të ri, që ata e prezantuan ekskluzivisht për “Një Shqipëri”, me dy fotografitë e mëposhtme:
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd