Transmetuar më 03-05-2025, 22:24

HIMARË – Mbrëmjen e së shtunës u finalizua në Himarë çelja zyrtare e sezonit turistik, e shoqëruar me një festë që zgjat 48 orë dhe ka mbushur qytetin me turistë vendas dhe të huaj, ndonëse muaji maj sapo ka nisur.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin festiv, i shoqëruar nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo.

Rama vizitoi panairin e produkteve tradicionale vendase dhe më pas ndoqi koncertin ku mori pjesë edhe banda filarmonike e Korfuzit, në prani të kryetarit të bashkisë së këtij qyteti grek.

Në fjalën e tij, Rama përgëzoi kryebashkiakun Tavo për përkushtimin dhe investimet e kryera në infrastrukturë, duke theksuar se Himara është në rrugën e duhur për t’u shndërruar në një destinacion turistik që rivalizon Sarandën dhe Vlorën.

Ai përmendi projektin për transformimin e qendrës së Himarës, ndërtimin e një parkingu nëntokësor pranë stadiumit dhe investimet në zonat e tjera si Dhërmiu dhe Borshi.

Duke u ndalur në atmosferën e qetë dhe energjinë pozitive që ndjehet në qytet, Rama nënvizoi nevojën për të përmbyllur çështjet e mbetura të pronësisë dhe për të vazhduar me investime që rrisin cilësinë e turizmit.

Ai vlerësoi bashkëpunimin mes qeverisë qendrore, bashkisë dhe komunitetit lokal për ta kthyer Himarën në një model të zhvillimit turistik të qëndrueshëm.

Në fund, kryeministri falënderoi qytetarët për mikpritjen dhe turistët për praninë e hershme në Himarë, duke u shprehur i bindur se sezoni veror 2025 do të jetë një nga më të suksesshmit për rivierën shqiptare. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit