Transmetuar më 03-05-2025, 18:32

Qeveria ka miratuar projektligjin që mundëson njohjen e periudhave të punës në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore si periudha sigurimi për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Ligji synon të përfshijë një kategori të gjerë ish-punonjësish, të cilët kanë kontribuar ndër vite, por për shkak të mungesës së dokumentacionit nuk kanë mundur të përfitojnë pensionin e plotë.

Çfarë parashikon ligji?

Sipas nenit 1 të ligjit të miratuar, njohja e viteve të punës bëhet për periudhën nga mosha 18 vjeç deri në momentin kur kanë hyrë në fuqi ligjet që riorganizuan strukturat bujqësore dhe shtetërore. Për ish-kooperativat bujqësore, periudha e njohur si sigurim shoqëror shkon deri në vitin 1991, ndërsa për ish-ndërmarrjet bujqësore deri në vitin 1992.

Në rastin e institucioneve shtetërore dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore, periudhat njihen deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimet për njohjen e viteve të punës pa dokumente do të bëhen nëpërmjet portalit e-Albania, ku çdo individ duhet të plotësojë një deklaratë personale për periudhën e punës në ish-kooperativa apo ndërmarrje bujqësore. Deklarata duhet të shoqërohet me një certifikatë banimi, e cila vërteton se kërkuesi ka pasur banim në fshatin ose qytetin ku ka ushtruar aktivitetin njësia përkatëse.

Kjo procedurë do të jetë e vlefshme për të gjitha rastet ku mungojnë dokumentet zyrtare, dhe njohja do të bëhet mbi bazën e deklarimit dhe verifikimit administrativ.

Cilat janë kushtet për njohjen e viteve të punës?

Për periudhat në ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjet bujqësore, kërkuesi duhet të:

Ketë qenë me banim në zonën ku ushtronte aktivitetin kooperativa apo ndërmarrja;

Të mos ketë qenë i dënuar me heqje lirie gjatë periudhës së deklaruar;

Të deklarojë me saktësi ditët, muajt dhe vitet e punës.

Si llogaritet pensioni?

Për efekt të llogaritjes së pensionit, do të përdoren pagat referuese të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhat përpara vitit 1994, paga nuk merret nga dokumentet arkivore, por nga tabela me vlera të indeksuara që përcaktohen çdo vit.

Për shembull, për një pagë prej 7,000 lekësh në vitin 1994, do të përdoret një koeficient shumëzues prej 10.799, duke e kthyer atë në 75,593 lekë për efekt të përllogaritjes së pensionit.

Formula e llogaritjes

Kur fillojnë aplikimet?

Aplikimet pritet të nisin në muajin mars, pasi të miratohen aktet nënligjore shoqëruese. Këto përfshijnë:

Listën zyrtare të ish-kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore sipas viteve të krijimit dhe territorit të mbulimit,

Rregulloren zyrtare për mënyrën e aplikimit dhe verifikimit të deklarimeve.

Çfarë ndodh me ata që janë në proces ankimimi apo gjyq?

Sipas ligjit të miratuar, personat që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor në lidhje me vitet e punës, nuk do të kenë më nevojë të ndjekin këto procedura. Ata do të përfshihen drejtpërdrejt në përfitimin e përcaktuar nga ligji i ri.

Në bazë të vlerësimeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, rreth 30 mijë qytetarë pritet të përfitojnë nga ky ligj, duke plotësuar vitet e nevojshme për një pension të plotë dhe të drejtë në përputhje me kontributet reale që kanë dhënë ndër vite. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit