

Kryeministri Edi Rama, denoncoi sot nga Gjirokastra analistët që shihni çdo natë në TV, se ata sipas tij kanë një plan i cili është thjesht dhe vetëm manipulimi i opinionit publik shqiptar.
Rama bëri thirrje që shqiptarët të mos ndikohen prej tyre: "Ju nuk duhet të dëgjoni zhurmën e kua-kua-kuave të kënetës, nuk duhet të pini ujin e kënetës as në mengjes dhe sidomos në darkë kur përhapen nëpër ato berberhanet e natës të gjithë ata që mbajnë titullin ‘’analistë’’.
Për Ramën, këta analistë, "nuk janë asgjë tjetër, përveçse njerëz që jetojnë në një realitet të krijuar prej tyre me gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e ndërtuar prej nesh së bashku’’.
Prandaj, thotë Rama, "ata nuk arrijnë ta kuptojnë si ka mundësi që të gjitha sondazhet e opinionit, përfshirë dhe sondazhin e bërë nga sondazhisti i presidentit Trump, thonë se shumica e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, thonë se shumica e shqiptarëve do të votojnë dhe PS dhe thonë se një shumicë edhe më e madhe se ajo që do votojë PS, thotë që fituesi i 11 majit është PS".
Duke e çuar edhe më larg denoncimin e tij, Rama vazhdoi: "Nuk e kuptojnë dot ata pse. Ata nuk e kuptojnë dot sepse ata janë kori i bretkosave që i thotë shqiptarëve çdo natë, që këtu ka vetëm vrasje, krim dhe këtu ka vetëm varfëri, që këtu s’ka bukë, këtu s’ka ujë, këtu s’ka punë, këtu s’ka biznes ndërkohë që, realiteti është krejt tjetër dhe pikërisht pse ne kemi bërë investimin më masiv në historinë e shtetit shqitar për ujin e pijshëm, sot ne jemi në përmbyllje të programit të furnizimit me ujë të të gjithë territorit".
Në këtë pikë erdhi akuza e rëndë: "Ata duan të bëjnë manipulim të opinionit. Nxjerrin deklarata të miat dhe pastaj lëshojnë ato fjalitë e tyre; “ku i ke ato 300 mijë ato vendet e punës’’?
Ndërkohë që mjafton të shkosh në regjistrin e të punësuarve të Republikës së Shqipërisë. Sa ishin kur ne morëm detyrën dhe sa janë sot të regjistruar që paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore. Dhe aty do të lexosh që janë pak më shumë sesa 300 mijë plus", tha Rama. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






