Transmetuar më 03-05-2025, 16:16

Shpërthimi që tronditi Selanikun: Gruaja me të kaluar kriminale tentoi të vendoste bombë në një bankomat, por vdiq nga shpërthimi që nuk e priste

Selanik – Ngjarja e pazakontë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lagje qendrore të Selanikut vazhdon të ngjallë reagime dhe pyetje të shumta. 38-vjeçarja që humbi jetën në mënyrë tragjike duke mbajtur një pajisje shpërthyese është tashmë në qendër të hetimeve për përfshirje në akte të tjera kriminale.

Pamjet filmike kanë zbuluar përpjekjen e saj për të vendosur bombën pranë një banke, kthimet e përsëritura në vendngjarje dhe momentin fatal kur ajo shpërtheu në duart e saj.

Autoritetet greke janë duke hetuar nëse pas këtij veprimi qëndronte një plan më i gjerë kriminal apo ishte një veprim i izoluar i një individi me një të kaluar të errët.

Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një akt terrorist. Policia tha se po hetohet kjo pistë ndërsa dosjet tregojnë se në 2021, gruaja atëherë 34 vjeçe ishte arrestuar teksa dilte nga një taksi me një burrë që ishte përfshirë bashkë me të në grabitje banke.

Sakaq viktima është e lidhur edhe me rastin në të cilin, në shkurt të vitit 2024, u shkatërrua një rrjet ekstremistësh dhe kriminelësh, të cilët ishin përgjegjës për dërgimin e një pakoje-bombë në gjykatën e Selanikut.

Në këtë rast, hetimi i policisë greke zbuloi se prodhuesit e bombës ishin dy piroteknikë nga Ushtria dhe Forcat Ajrore, kundër të cilëve ishte ngritur një padi penale.

Forcat Antiterroriste, gjatë kontrollit që kryen në shtëpinë e 38-vjeçares, gjetën detonatorë dhe materiale për eksplozivë, një fakt që e lidh atë me skenarin e sulmit terrorist.

Çfarë ndodhi në Selanik

Një ngjarje e rëndë dhe misterioze ka tronditur qytetin e Selanikut në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një grua 38-vjeçare humbi jetën në rrethana dramatike, teksa mbante një bombë në duar. Sipas autoriteteve greke dhe raportimeve nga vendngjarja, gjithçka tregon se viktima po planifikonte të vendoste një pajisje shpërthyese pranë një bankomati, por pajisja i shpërtheu para kohe, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Ngjarja ndodhi në një lagje banimi në qendër të Selanikut, përpara një ndërtese ku në katin përdhes ndodhet një filial banke. Kamerat e sigurisë së dyqaneve pranë kapën momentet e fundit të jetës së saj. Gruaja, që mbante çantën me mjetin shpërthyes, fillimisht e la pajisjen pranë hyrjes së bankës dhe u largua disa metra. Ajo u kthye dy herë për të parë nëse bomba do të shpërthente. Pikërisht në kthimin e dytë, mjeti shpërthyes i detonoi në duar, duke i prerë njërën dorë dhe duke e plagosur rëndë në pjesë të tjera të trupit.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ambulancës dhe ndihmës së parë të dhënë në vendngjarje, gruaja ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Forca të shumta policie, njësia e mjekësisë ligjore dhe specialistë të antiterrorit shkuan menjëherë në vendngjarje, duke bllokuar zonën dhe nisur hetimet.

Shpërthimi shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale: një vrimë në murin e ndërtesës, xhama të thyer, llamarina të shpërndara në rrugë dhe dëmtime në automjetet e parkuara pranë.

Hetimet e para kanë zbuluar se viktima, e cila nuk është identifikuar ende publikisht nga autoritetet greke, kishte një të kaluar problematike dhe ishte e njohur për policinë. Ajo kishte qenë më parë e përfshirë në vepra penale si pjesëmarrje në grabitje, falsifikim dokumentesh, prostitucion, trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, prokuroria ka hapur një hetim penal për të përcaktuar nëse ajo ka vepruar e vetme apo në bashkëpunim me persona të tjerë. Policia greke nuk përjashton mundësinë që ngjarja të jetë e lidhur me ndonjë grup kriminal apo edhe me ndonjë përpjekje për akt të qëllimshëm sabotimi ekonomik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit