

Në një fjalim të mbajtur sot në Peqin, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti alarmin për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale që po detyron qytetarët të largohen masivisht nga vendi. “Shqipëria është bërë e pajetueshme,” deklaroi ai, duke përmendur papunësinë, varfërinë, gjendjen e pensionistëve dhe shpërfilljen ndaj fermerëve si faktorë kryesorë të braktisjes.
Në këtë kontekst, Berisha prezantoi zotimet e tij për ndryshime të menjëhershme ekonomike brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, duke premtuar rritje të pensioneve dhe pagave minimale.
“Ky Peqin, kjo Shqipëri është bërë e pajetueshme,” deklaroi Berisha përballë një audience të gjerë, duke përshkruar situatën ekonomike dhe sociale që, sipas tij, ka detyruar shumë qytetarë të largohen nga vendi. Ai tha se mungesa e punës, shtypja e bizneseve dhe varfëria janë arsyet themelore të emigrimit masiv, jo mungesa e atdhedashurisë.
Duke folur për pensionistët, Berisha theksoi padrejtësitë e thella sociale: “Sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro. Por sot, për të blerë sa blije në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë.”
Në këtë kontekst, ai bëri një premtim të drejtpërdrejtë: “Në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro.” Sipas tij, 57 përqind e pensionistëve aktualisht marrin më pak se kaq.
Kryetari i PD-së akuzoi qeverinë Rama për mospërfillje ndaj shtresave në nevojë: “Edi Rama solli këtë vit buxhetin 8 miliardë euro dhe kishte lënë gjithsej për pensionistët 16 milionë euro. Për 760 mijë burra dhe gra vetëm kaq.”
Në vijim të fjalës, ai solli krahasime me vendet fqinje: “Pensionisti malazez në 2013 merrte 138 mijë lekë. Sot merr 450 mijë lekë. Çfarë ndodhi? As nuk shpikën naftë, as florinj. Por qeveria e tyre i ktheu taksat tek qytetarët.”
Duke u ndalur te fermerët, Berisha tha se ndihma për ta është “mizerabël” dhe se ata nuk mund të konkurrojnë me fermerët nga Maqedonia apo Serbia, të cilët sipas tij marrin mbështetje pesë herë më të madhe. “Prodhimet tuaja mbeten në ara, hidhen në lumë ose toka mbetet djerrë,” tha ai.
Programi i Partisë Demokratike, sipas Berishës, nuk është një shpikje, por bazohet në praktikat më të mira të rajonit dhe Evropës. Ai siguroi qytetarët për rritje të menjëhershme të pagave: “Pas 11 Majit, në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro.”
Në përfundim, Berisha ftoi qytetarët e Peqinit dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohen për të sjellë, sipas tij, “një ndryshim epokal” për vendin. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






