Transmetuar më 03-05-2025, 09:13

Weston McKennie do të vazhdojë ta veshë fanellën bardhezi edhe për vite të tjera. Mesfushori amerikan, i cili në sezonin aktual është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Juventusit, ka rinovuar kontratën deri në qershor të vitit 2028. Një marrëveshje që përfshin gjithashtu rritje të pagës nga 2.5 milionë euro në 3 milionë euro në sezon, siç raporton “Tuttosport”.

Ky është një sinjal i qartë nga klubi: McKennie nuk është më një alternativë, por pjesë thelbësore e projektit teknik, pavarësisht nga ndryshimet që kanë ndodhur në pankinën bardhezi gjatë 12 muajve të fundit. Që nga Allegri e deri te Tudor, të gjithë trajnerët e kanë konsideruar të pazëvendësueshëm.

Lojtar për të gjitha stinët

Ajo që e bën McKennie të veçantë nuk janë vetëm muskujt apo ndihma në fazën mbrojtëse, por edhe aftësia e tij për t’u përshtatur në çdo rol: nga mesfusha qendrore, në krahë si “mezzala” e deri në të djathtë, në një sistem me 5 mbrojtës. Fleksibiliteti dhe vullneti i tij për të sakrifikuar për skuadrën janë vlerësuar maksimalisht nga stafi teknik dhe drejtuesit.

Rinovimi si shpërblim për rendimentin

Ky rinovim nuk është thjesht një veprim burokratik, por shpërblim konkret për një lojtar që ka tejkaluar pritshmëritë. Kur McKennie u kthye nga huazimi te Leeds, verën e kaluar, shumë menduan se do të largohej përfundimisht. Megjithatë, ai ua ka mbyllur gojën kritikëve me performanca bindëse dhe profesionalizëm të palëkundur.

Një mesazh për të ardhmen

Për Juventusin, kjo lëvizje është më shumë se thjesht një rinovim; është deklaratë besimi, sinjal se ndër lojtarët mbi të cilët do të ndërtohet e ardhmja, McKennie zë një vend qendror. Në një klub që kërkon të rikthehet në majat e futbollit europian, stabiliteti dhe lidershipi në fushë janë të paçmueshme. Amerikanin nga Texasi, tashmë “Zonja e Vjetër” e ka të “blinduar”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit