

E ardhmja e Pep Guardiolës pas Manchester City mbetet një pikëpyetje e madhe. Në intervistën për ESPN, tekniku spanjoll ka bërë një deklaratë domethënëse, që mund të përbëjë kthesë në karrierën e tij: “Pas skadimit të kontratës me City do të ndalem, për këtë jam i sigurt. Nuk e di nëse do të tërhiqem përfundimisht nga trajningu, por do të marr një pauzë”.
Fjalë që kanë bërë jehonë në të gjithë botën e futbollit, duke ushqyer spekulimet për largim të mundshëm jo vetëm nga Premier League, por edhe nga vetë futbolli. Guardiola, i ndikuar nga një sezon i vështirë, e pranon se jo çdo gjë ka shkuar mirë: “Ka qenë një sezon i vështirë. Kam marrë edhe vendime të gabuara, por kam mësuar shumë. Nuk ka vetëm një arsye pas rënies tonë, janë një sërë detajesh”.
Trajneri që ka lënë gjurmë te Barcelona, Bayern Munich dhe Manchester City, reflektoi edhe mbi trashëgiminë e tij: “Vështirësitë janë pjesë e lojës. Nuk mund të jetojmë duke u mbështetur në kujtimet e të tjerëve. Kur vdesim, na harrojnë shpejt. Megjithatë, shpresoj që tifozët e Barcelonës, Bayernit dhe City t’i kenë shijuar skuadrat e mia”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






