Transmetuar më 03-05-2025, 08:14

Në prag të një tjetër përballjeje në La Liga, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka paralajmëruar rotacione të shumta në sfidën kundër Real Valladolidit, sfidë ndërmjet dy akteve vendimtare të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Interit. Në një konferencë për shtyp, tekniku gjerman nuk i kurseu sinjalet se prioriteti i katalanasve është kalimi në finalen e madhe të Mynihut, pas barazimit 3-3 në shtëpi. Kthimin ë “San Siro” do të jetë vendimtar.

“U vërtetua kundër Interit se edhe lojtarë si Koundé mund të lëndohen. Tani duhet të dëgjojmë stafin mjekësor për të kuptuar cilët lojtarë kanë nevojë për pushim, do të bëjmë rotacione. Ter Stegen do të luajë, e konfirmoj”, – tha Flick me tone të qarta, duke nënvizuar se në këtë periudhë intensive ndeshjesh, menaxhimi fizik është vendimtar.

Sa i përket situatës së disa lojtarëve kyç, që munguan në sfidën e parë kundër zikaltërve, Flick dha lajme premtuese për tifozët blaugrana: “Duhet të presim dhe të shohim ditë pas dite. Janë në rrugë të mbarë, por duhet të presim. E njëjta gjë vlen edhe për Casadó, që të premten u stërvit pjesërisht me grupin. Nuk mund të rrezikojmë. Robert po përparon shumë mirë, për Balde do të shohim”.

Veçanërisht optimist u shfaq për rikthimin e Lewandowskit, sulmuesit kryesor të skuadrës, i cili mund të jetë arma shtesë për sfidën e kthimit ndaj Interit: “Mund të rikthehet për ndeshjen e kthimit kundër Interit. Po bën shumë mirë dhe përparimi i tij është më i shpejtë nga sa prisnim. Do të shohim. Është një profesionist i madh dhe punon gjithmonë fort për të qenë 100%. Mund të rikthehet të martën”.

Flick u ndal gjithashtu te dobësitë e shfaqura nga skuadra e tij ndaj Interit. Skuadra zikaltër arriti ta godiste në mënyrë të përsëritur nëpërmjet goditjeve standarde, aspekt ku duket se Barcelona ka vend për përmirësim: “Mendoj se mund të mbrohemi shumë më mirë.

Nuk është vetëm çështje e gjatësisë, por edhe si mbyllesh, si merr përgjegjësinë në mbrojtje… Interi na dëmtoi shumë në goditjet standarde. Edhe Bayerni pësoi gola të tillë kundër tyre. Interi ka gjithashtu një ekzekutues të shkëlqyer, ndoshta një nga më të mirët”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit