

Të paktën tre persona u plagosën rëndë dhe disa të tjerë pësuan lëndime të lehta, pasi një makinë u përplas me një grup njerëzish në qytetin jugperëndimor gjerman të Shtutgartit. Mediat gjermane bëjnë të ditur se shoferi i automjetit nuk u lëndua. Ai u arrestua dhe po merret në pyetje.
Pas një hetimi paraprak, Policia e Shtutgartit tha se beson që ishte një aksident tragjik trafiku. “Aktualisht nuk ka shenja të një sulmi apo një akti të qëllimshëm”, tha policia në X.
“Burri që u ndalua nuk u përpoq të arratisej”, përgjigj një zëdhënës i policisë interesit të mediave, duke iu referuar shoferit të Mercedesit të zi që goditi disa persona.
Incidenti ndodhi në zonën e Olgaeck dhe oficerët ishin në vendngjarje me një forcë të madhe.
Mjeti i përfshirë në incident, një SUV luksoz Mercedes G-Class, mbeti në vendngjarje pranë një stacioni tramvaji. Sipas zëdhënësit të policisë, shërbimi në stacionin e tramvajit u pezullua.
Policia tha se operacioni po vazhdonte dhe se aktualisht kishte kufizime të rrepta trafiku në qendër të Shtutgartit, që është kryeqyteti i Baden-Ëürttemberg .
Ndërkohë, Brigada e Zjarrfikësve të Shtutgartit tha se iu përgjigj një aksidenti të rëndë trafiku me shumë të lënduar në qendër të qytetit.
“Zona është e rrethuar dhe të plagosurit po trajtohen në vendngjarje”, tha ajo në X.
Departamenti i zjarrfikësve shtoi më vonë se disa persona u plagosën në aksident, përfshirë disa në gjendje të rëndë.
Aksidenti rrugor vjen pasi Gjermania përjetoi disa sulme vdekjeprurëse me makina në muajt e fundit, duke përfshirë qytetin lindor të Magdeburgut dhe qytetin jugor të Mynihut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd