

Dibër, 2 maj 2025 – Në një fjalim të mbajtur në Dibër, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit si një moment të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai tha se Partia Socialiste është mjeti për të arritur qëllimin kryesor – Bashkimin Europian – dhe se ky është objektivi që duhet të udhëheqë vendin përpara.
Rama vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha për të përmbyllur negociatat me Bashkimin Europian, por theksoi gjithashtu se nuk duhet të humbasë kjo mundësi për të garantuar ardhmërinë e shqiptarëve.
Një nga pikat kryesore të fjalimit të tij ishte përmbyllja e projektit të rrugës së Arbrit dhe lidhja më e afërt e Dibrës me Tiranën. "Tani, për të qenë të sinqertë dhe deri në fund me ju, nuk po vij këtu për t’ju thënë se do të bëjmë këtë rrugë, sepse ajo është përfunduar. Kjo është rruga që na lidh me Tiranën, që na lidh me Europën", tha Rama.
Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e investimeve të realizuara dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në këtë rajon sajë mbështetjes së Bashkimit Europian, siç janë investimet në infrastrukturë, bujqësi dhe turizëm. "Për 5 vjet, kjo zonë do të pësojë një nga transformimet më të mëdha që ka pësuar ndonjëherë," tha Rama, duke theksuar se pas të gjitha investimeve dhe përpjekjeve, kjo zonë mund të presë deri në një milion turistë çdo vit brenda një dekade.
Rama i bëri thirrje qytetarëve të Dibrës dhe të gjithë shqiptarëve që të vazhdojnë të besojnë në përparimin e vendit dhe të votojnë në 11 maj për të siguruar që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Nga premtimet e Edi Ramës për Dibrën dhe Shqipërinë:
1. Përfundimi i të gjitha projekteve infrastrukturore të rëndësishme, si rruga e Arbrit dhe tuneli i Murrizit.
2. Shndërrimi i Dibrës në një destinacion turistik të rëndësishëm, me 1 milion turistë në vit.
3. Vazhdimi i investimeve në bujqësi, energji dhe agroturizëm.
4. Rritja e cilësisë së arsimit dhe mundësive për rininë.
5. Përfundimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2027.
6. Vlera më të mëdha për pronën dhe pasuritë e dibranëve pas integrimit të Shqipërisë në BE.
Batuta të Edi Ramës gjatë fjalimit:
Rrugën e re e keni nga hoteli i Astritit deri në Tiranë “plumb pushke” dhe jeni lagje e Tiranës
"Rruga e Arbrit nuk është rruga e socialistëve, është rruga e socialistëve, demokratëve, dhe mbi të gjitha është rruga e dibranëve."
"Në 11 maj, nuk duhet të shkojmë me fanellë partie, duhet të shkojmë me flamurin kuqezi."
"Dibranët janë shtyllat e pazëvendësueshme të kësaj zone, dhe prej votës së tyre, ne kemi arritur të bëjmë gjithçka që e premtuam."
"Ne nuk po kërkojmë vota për Edi Ramën, po për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj në Europë."
"Shqipëria në Bashkimin Europian është një Shqipëri tjetër, një Shqipëri e re, një hapësirë e re, një horizont i ri për të gjithë."
"Kush shkon edhe hidhet në kënetë, pastaj quajeni si të doni se ju ia gjeni emrat më bukur se unë. Ju ia gjeni emrat më bukur se unë, por ama që Dibra ështe grua që në Dibër gratë janë shtyllat e pazëvendësueshme, këtë unë nuk e diskutoj fare edhe sikur ta di që të gjithë burrat vendosin që të më kthejnë kurrizin." /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






