Transmetuar më 02-05-2025, 12:26

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të rëndë të armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarisë së strukturuar kriminale, në kuadër të operacionit të koduar “Baruti”.

Në fshatin Rrencë u zbulua një banesë e kthyer në bazë për llogari të grupeve kriminale, ku u gjetën dhe sekuestruan: 11 pistoleta, një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 jelekë antiplumb dhe një silenciator.

Në pranga ra pronari i banesës, shtetasi Ç. J., 61 vjeç, me precedent të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje. Ai dyshohet se kishte vënë në dispozicion ambientet për aktivitet kriminal të armatosur.

Armët dhe municionet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike pranë Institutit të Policisë Shkencore, për të përcaktuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit