

Një krim i rëndë tronditi paraditen e sotme qytetin e Shkodrës, ku një grua amerikane humbi jetën si pasojë e dhunës në familje. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:15 në lagjen "At Shtjefën Gjeçovi", në një banesë të marrë me qira nga një çift turistësh amerikanë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima është Sandra Saporito, 54 vjeçe, ndërsa autori i dyshuar i vrasjes është bashkëshorti dhe bashkëjetuesi i saj, Brandon Saporito, 57 vjeç. Dyshohet se ai e ka goditur atë me mjet prerës (thikë), duke i shkaktuar plagë të rënda që çuan në vdekjen e saj.
Pas krimit, Brandon Saporito ka tentuar të vetëvritet duke u plagosur me të njëjtin mjet. Ai është transportuar në spital në gjendje të dehur dhe me dëmtime në duar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Autoritetet po punojnë gjithashtu për të kontaktuar përfaqësitë diplomatike përkatëse dhe për të informuar familjarët e viktimës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






