

Edhe pse u eliminua me Real Madridin e tij, Kylian Mbappé nuk humbi rastin për t’i ndjekur si spektator gjysmëfinalet e Champions League. Mbrëmjen e së martës, ish-ylli i PSG-së ishte i pranishëm përmes televizorit në fitoren e parizienëve ndaj Arsenalit (1-0), duke festuar golin e mikut dhe shokut të tij të kombëtares, Ousmane Dembélé, me një mesazh në Instagram: një “emoji” mushkonje, nofka e ish-sulmuesit të Barcelonës, dhe një zemër.
Pavarësisht largimit të tensionuar verën e kaluar me parametër zero drejt Real Madridit dhe kërkesës ndaj klubit për 55 milionë euro paga dhe bonuse të prapambetura, Mbappé ka dashur të tregojë respekt për PSG-në. “Ishte një nder të luaja aty për shtatë vite, – kishte deklaruar për “beIN Sports”. – Po të mos shkoja te Reali, do të qëndroja aty gjithë jetën”.
26-vjeçari po përjeton një sezon të luhatshëm në Spanjë: 33 gola në 50 ndeshje, por zhgënjime të mëdha në Champions, Kupën e Mbretit dhe Superkupë. Edhe në La Liga, Reali ndjek Barcelonën me 4 pikë diferencë, kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje për t’u luajtur. Mbappé nuk po luan keq, por ashtu siç pritej, jo. Ndërkohë, në garën për “Topin e Artë”, tani është pikërisht miku i tij Dembélé, që duket se ka kaluar përpara si kandidat favorit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






