Transmetuar më 02-05-2025, 09:00

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka shuar çdo dyshim në lidhje me të ardhmen e trajnerit Simone Inzaghi. Duke folur për “Sky Sport”, pak minuta para përballjes mes Barcelonës dhe Interit në gjysmëfinalen e Champions League, ai tha:

“E ardhmja e Inzaghit? Për të nuk duhet të gjykoni javët, por vitet. Kanë qenë vite të jashtëzakonshme për klubin tonë dhe një meritë e madhe është e tij. Si mund të heqësh dorë nga një trajner i tillë?” Marotta theksoi gjithashtu: “Në një botë ku gjithçka konsumohet shpejt, ne kemi ndërtuar një bërthamë të fortë e solide, në të cilën Inzaghi është pjesë qendrore dhe interpretues i këtij modeli tonë”.

Duke folur për sfidën në Barcelonë, ku Interi riktheu në fushë çiftin Lautaro Martinez-Marcus Thuram, presidenti zikaltër nënvizoi: “Ata janë një dyshe në simbiozë perfekte për nga karakteristikat. Dy lojtarë që përshtaten shumë mirë me njëri-tjetrin, por që këtë sezon i kemi parë bashkë shumë pak. Shpresojmë ta realizojmë këtë mision, fakti që Thuram është tashmë gati është një sinjal i mirë”.

Lidhur me ndeshjen e Champions-it: “Jemi mes katër më të mirëve. Nuk jemi këtu për të bërë figurën e pjesëmarrësit, ky është akti i parë i një përballjeje që do të mbyllet në ‘San Siro’. Është e rëndësishme të mos humbasim ekuilibrin, jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të madhe edhe në kthim”.

Duke komentuar procesin e rritjes së Interit, Marotta shtoi: “Është një proces evolutiv që ka nisur disa vite më parë, duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha financiare. Kemi arritur të ndërtojmë një pjesë sportive me cilësi të lartë, trajneri ka pasur një rol absolutisht të rëndësishëm. Kemi hyrë në një fazë përfundimtare të sezonit, ku të ardhurat padyshim janë rritur, por në futboll ajo që ka rëndësi është fitorja”.

Sa i përket merkatos, Marotta u shpreh: “Do të investojmë në profile që mund të jenë pasuri për të ardhmen. Nuk do të bëjmë operacione të veçuara për të sjellë lojtarë të lirë (me parametra zero), që mund të kërkojnë paga të larta, por do të kërkojmë lojtarë që i përshtaten projektit tonë dhe përfaqësojnë vlera reale. Ky grup që kemi është tashmë një pikënisje e rëndësishme”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit