

Pas barazimit spektakolar 3-3 në “Montjuïc”, gjysmëfinalja e Champions League mes Barcelonës dhe Interit mbetet krejtësisht e hapur. Të martën e ardhshme në “San Siro”, Barça do të kërkojë finale. Një lajm i mirë për Hansi Flick mund të vijë nga Robert Lewandowski.
Sipas medias polake “Meczyki”, sulmuesi është në fazën përfundimtare të rikuperimit nga dëmtimi dhe është i gatshëm të rrezikojë për të qenë i pranishëm në sfidën vendimtare në Milano. Lewandowski i ka komunikuar teknikut gjerman se ndihet mirë dhe është i gatshëm të luajë disa minuta, nëse do të jetë e nevojshme.
Rikuperimi më i shpejtë se parashikimet
Lewandowski u dëmtua më 19 prill në ndeshjen ndaj Celta, me një problem muskulor në kofshën e majtë. Fillimisht, Barcelona parashikonte një rikthim drejt datës 11 maj për “El Clásico”, por përparimi në rikuperim ka qenë i shpejtë dhe sulmuesi është stërvitur i vetëm, pa ndier dhimbje. Ndaj ka gjasa që të jetë në stol të martën dhe të futet në fushë në pjesën e dytë, në varësi të ecurisë së ndeshjes.
Një armë shtesë për Flick
Lewandowski është një lider për skuadrën e Flick. Me 40 gola në 48 ndeshje, eksperienca e tij në ndeshje të tilla mund të jetë vendimtare. Barcelona ka një grup të fortë në fazën sulmuese, me Ferrán Torres në formë optimale, autor i golave si në finalen e Kupës ndaj Realit, ashtu edhe ndaj Interit. Sidoqoftë, prania e Lewandowskit do të ishte një plus i madh psikologjik dhe teknik për blaugranat në një ambient të nxehtë si “San Siro”.
Do të udhëtojë me skuadrën drejt Milanos
Është pothuajse e sigurt që sulmuesi polak do të udhëtojë me skuadrën drejt Milanos, teksa vendimi final për aktivizimin e tij do të merret në orët para ndeshjes. Flick dhe stafi i tij janë të kujdesshëm me lojtarët që kthehen nga dëmtimi, por gjithashtu duan që skuadra të jetë në maksimum për një objektiv madhor: finalja e Champions-it.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






