Transmetuar më 02-05-2025, 08:20

Ngarkesa e minutave dhe intensiteti te Barcelona në këtë fazë të fundit të sezonit ka filluar të sjellë pasoja në formën e lojtarëve, duke shtuar mungesat në skuadrën e parë. Jules Koundé u dëmtua në pjesën e parë të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit.

Mbrojtësi i djathtë u detyrua të zëvendësohej disa minuta para pushimit. Në vend të tij hyri Eric Garcia, i cili është lojtar polivalent. Sipas analizave mjekësore të kryera këtë të enjte, francezi vuan nga një dëmtim distal në bicepsin femoral të këmbës së majtë, i njëjti dëmtim që pësoi Alejandro Balde tri javë më parë.

Edhe pse klubi nuk ka vendosur një afat të saktë për rikuperimin e tij, Koundé pritet të mungojë për rreth tri javë. Për shkak të këtij dëmtimi, Jules Koundé do të humbasë ndeshjen e radhës të La Liga-s, këtë të shtunë në fushën e Valladolidit, dhe ndeshjen e kthimit gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve ndaj Interit, të martën e ardhshme në “San Siro”.

Një sfidë që mund të përcaktojë sezonin. Ai gjithashtu nuk do të jetë i disponueshëm për “El Clásico” e 11 majit në Montjuïc, e cila mund të vendosë edhe kampionin e La Liga-s. Duke pasur parasysh se Koundé ka të njëjtin dëmtim si Balde, i cili qëndroi jashtë për tri javë, ndeshjet e tjera që ai ka gjasa të humbasë janë ato të javës së 36-të dhe 37-të të La Liga-s, kundër Espanyolit në “Cornellà-El Prat” dhe Villarrealit në shtëpi.

Jules Koundé mund të rikthehet në javën e fundit të kampionatit, kur Barça do të përballet me Athletic Bilbao në “San Mamés”, dhe nëse kualifikohet në finalen e Ligës së Kampionëve, mund të jetë i disponueshëm për sfidën e madhe në Mynih, më 31 maj.

“Heroi” i finales së Kupës së Mbretit është futbollisti që ka grumbulluar më shumë minuta këtë sezon, plot 4423. Ai është një nga pjesët kyçe të “kolonës vertebrale” të Barcelonës së drejtuar nga Hansi Flick. Francezi u dëmtua në ndeshjen e 53-të të sezonit.

Me vetëm një mungesë gjatë sezonit (ndeshja ndaj Mallorca në Montjuïc, më 22 prill), Kounde i kishte luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet deri në duelin europian ndaj Interit. Në finalen e Kupës së Mbretit ishte “hero” me një supergol nga distanca, por kundër skuadrës italiane mbrojtësi i palodhur nuk mundi të vazhdonte më. Këtë sezon ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 8 asistime.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit