Transmetuar më 01-05-2025, 19:06

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me përkrahës të të majtës mbylli sot fushatën në Kuçovë me një apel për të siguruar sipas tij anëtarësimin në BE përmes votës për partinë që drejton.

"Kuçova e ka mbështetur historikisht pa rezervë Partinë Socialiste dhe për hir të vërtetës më vjen mirë që nuk e kemi marrë mbështetjen tuaj si diçka që e kemi në xhep, por përkundrazi, kemi bërë jo aq sa do të donim, por pa diskutim aq sa kemi mundur që ky komunitet i mrekullueshëm ta ndjejë vëmendjen, ta ndjejë mbështetjen, ta ndjejë edhe ndryshimin që ka prekur gjithë Shqipërinë dhe sot edhe këtu ku jemi të gjithë së bashku jemi në një hapësirë publike vërtetë shumë të bukur", tha Rama.

Ai bëri dhe një bilanc të fondeve që ka sjellë Brukseli në Shqipëri: "Në rrugëtimin e këtyre 3 mandateve ne kemi pasur mbështetje nga Bashkimi Europian, pa diskutim, dhe ka qenë një mbështetje që ka ardhur në rritje, por nëse jua them si shifër, ne kemi marrë nga Bashkimi Europian diçka më shumë se 1 miliardë euro. Diçka më shumë se 1 miliardë euro, nga të cilat 90% janë kredi, kredi të buta, por sidoqoftë janë borxhe, ndërkohë që me anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria do marrë të njëjtën shumë pak a shumë, 1 miliardë e diçka më shumë euro çdo vit dhe ndryshimi tjetër do të jetë që nuk do të jenë 90% kredi, por do të jenë 90% kontribut i asaj shtëpie të përbashkët për Shqipërinë".

Rama u ndal më pas në procesin e anëtarësimit dhe kulisat e tij: "Qysh nga dita e parë kur ne kemi hyrë në këtë rrugë të kalimit nga diktatura në demokraci dhe nga izolimi në Europë, ne kemi dashur të hyjmë në atë derë, por është hera e parë qysh nga dita e parë, që edhe Bashkimi Europian do që ne të kapërcejmë pragun e asaj dere dhe ka hapur derën për ne.

Ama, duhet pasur parasysh që ajo derë siç hapet edhe mbyllet, ajo derë është hapur, kanë hyrë anëtarë të rinj, është mbyllur për vite të tëra, është hapur prapë, ka hyrë dikush tjetër, është mbyllur dhe ne na është dhënë mundësia që të ulemi në tavolinë, të fillojmë negociatat me Bashkimin Europian dhe t’i mbyllim negociatat brenda vitit 2027. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë për asnjë shtet tjetër nga vendet ish komuniste, askujt negociatat nuk i kanë zgjatur 3 vjet.

Ne i kemi filluar vjet, kemi edhe 2 vite të tjera punë shumë intensive për t’i mbyllur, por për të tjerët kanë zgjatur shumë më tepër dhe kjo vjen si rezultatit i faktit që ne kemi bërë çmos që kur dera të hapet, ne të jemi gati, por i faktit që Bashkimi Europian, sot ka interes që të rrisë numrin e anëtareve të vet dhe Shqipëria gjendet sipas tyre, jo sipas meje më e përgatitura për të hyrë në atë shtëpi.

Kini parasysh që kur ne e morëm detyrën Shqipëria ishte në fund fare, ishte kur i thonë “vrima e fundit e kavallit”. Kur në fillimet e kësaj rruge kur unë takoja udhëheqësit e bashkimit Europian, ndjehesha tamam si kur takon dikë që gati sa s’ta thotë: Mbaro tani se kam punë tjetër. Shqipërinë nuk e besonin, Shqipërinë nuk e respektonin, Shqipërinë nuk e vlerësonin. Sot Shqipërinë e besojnë, e respektojnë dhe e vlerësojnë".

Në këtë pikë erdhi apeli i Ramës: "Tani pse unë them që 11 maji është një takim me historinë për popullin shqiptar dhe pse unë them që ky është momenti kur shqiptarët duhet të bëhen bashkë që t’i japin një shtysë shumë të fortë negociatave dhe që të hyjmë në Bashkimin Europian pa lënë që dera të na mbyllet dhe të mbetemi jashtë për vite të tëra.

Pse? Sepse negociatat nuk janë aspak një punë e lehtë. Ne kemi 1 mijë njerëz nga ana jonë që punojnë çdo ditë për negociatat. 1 mijë njerëz që të jenë të ndarë në shumë grupe dhe të mbulojnë çdo sektor, ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, gjithçka, mjedisin, ajrin, ujërat, peshqit, zogjtë, të tëra.

Nga ana tyre, 1 mijë të tjerë në Bruksel, edhe ata të ndarë, ulur në tavolinë dhe janë mbi çerek milion faqe me rregulla, me standarde, me kritere, me masa, me ligje për të cilat ne duhet të biem dakord, dhe mbasi biem dakord atje, duhet të vijmë këtu në Tirane dhe duhet t’i bëjmë, t’i vulosim këtu si rregulla, si vendime, si masa, si kritere, si ligje.

Tani e parafytyroni ju që ne negociojmë në Bruksel, biem dakord atje, vijmë këtu, shkojmë në kuvend edhe duhet t’i shkojmë pas avazit disa të tjerëve atyre që do të nxjerrë këneta në breg, apo atyre që shfaqen nëpër Shqipëri si parti të reja, që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të tyre. Parti të reja që në listat e mbyllura kanë xhaxhallarë, kanë teze, kanë halla, kanë krushqira dhe thonë: I kemi vënë aty se s’kemi besim ne te njeri-tjetri. Parti të reja që thonë: nëse ne do të na vijë në dorë kjo punë, ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nuk do të lejojmë që Shqipëria të ketë qeveri.

Domethënë, nga njëra anë ne duam të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian, duke dëshmuar këtu vendosmëri, shpejtësi, unitet, nga ana tjetër çfarë do bëjmë, do i themi atyre që shikoni se kemi me kënetën disa probleme. Ça kënete do thonë ata? Po çfarë t’i bëjmë, kemi një kënetë me një specie të veçantë dhe kemi dhe ca të tjerë që duan zgjedhje të parakohshme. Kjo gjë do të bëjë vetëm një gjë, do të mbyllet dera. Edhe pastaj, kushedi sa vite mund të presim.

Prandaj po ua them shumë drejtpërdrejt ju dhe gjithë atyre që na ndjekin. Këto zgjedhje dhe ky mandat nuk është për mua personalisht, nuk është për karrigen time, nuk është për shumicën tonë të thjeshtë. Është për shumë më tepër se sakaq dhe arsyeja pse unë ju them që duhet një mandat i katërt për Partinë Socialiste është sepse këtu bëhet fjalë për të përmbushur një mision historik.

Në fund Rama tha: "Dua t’ju them dhe një arsye tjetër shumë të rëndësishme pse na duhet anëtarësimi në BE. Ju e dini shumë mirë që një nga argumentet ose një nga pretendimet e kënetës edhe të moçalishteve rrotull saj, është se ne nuk e meritojmë konsideratën e një mandati të 4-të sepse paskemi gjysmën e qeverisë në burg. E para një herë që kjo nuk është e vërtetë, por dhe sikur të ishte e vërtetë, nuk po i hyj diskutimit është a s’është e vërtetë, është e vërtetë plotësisht që qysh se ne i hymë detit në këmbë për të bërë reformën në drejtësi, shqiptarët po shohin diçka që nuk e kanë parë që nga viti 1912, që kur u krijua shteti shqiptar pati një princ që e sollën nga jashtë, pastaj pati një tentativë për të bërë një republikë, pastaj u bë një mbretëri, pastaj u bë diktaturë komuniste, pastaj filloi një tranzicion demokratik dhe të gjitha këto kalime shqiptarët nuk panë kurrë një njeri të lidhur me pushtetin që të shkonte para një prokurori të pavarur dhe të jepte llogari dhe të dilte para një gjykatësi të pavarur dhe të merrte një dënim, kurrë, sepse që nga 1912 dhe deri pak vite më parë kur reforma në drejtësi filloi të japë frutet e veta, drejtësia në Shqipëri ka qenë e çarmatosur dhe shpata e ndëshkimit të drejtësisë ka qenë në zyrën e të parit të qeverisë. Për herë të parë një forcë politike, me një kurajo shumë të madhe, çarmatosi veten, dorëzoi shpatën dhe tërhoqi duart nga sistemi i drejtësisë, duke, faktikisht e kthyer barazinë para ligjit nga një slogan në një fakt dhe ju kujtohet kur unë në një fushatë tjetër ju thosha “ma jepni timonin vetëm. Mos më lini të tjerë në prehër sepse ndryshe nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi’’. Ishte koha kur na ishin mbledhur të tërë poshtë tek kryeministria në çadër për të mos lënë drejtësinë që të merrte pushtetin e vet dhe për të mos lejuar që pushteti politik të zhvishej nga pushteti i drejtësisë. Koha tregoi që timoni ia vlejti sepse koha tregoi që kur unë thosha atëherë që na duhet një drejtësi që të shohë drejt dhe të godasë majtas-djathtas, domethënë nuk bëja propagandë sepse sot kemi një drejtësi për herë të parë në historinë tonë që pavarësisht të gjitha çfarë ne mund të diskutojmë, po godet majtas dhe djathtas. Tani kjo është një përpjekje e parë, barazia para ligjit nuk është diçka e lehtë, se po të ishte e lehtë do e kishin bërë të tjerët përpara. Barazia para ligjit është themelore për tu ulur në tryezën e BE, është themelore për ta çuar Shqipërinë si zonjë në sallonin e Europës dhe kur dëgjon bufin e kënetës që thotë ‘’në 12 maj unë do shkrij SPAK-un’’ apo kur sheh disa të tjerë sikur e duan votën që të mbrojnë SPAK-un nga ne, që ky është fundi i botës, kupton që këta lloj politikanësh akoma nuk duan të pranojnë që drejtësia është në punën e saj dhe rreziku që drejtësia të kthehet mbrapsht, është real. Sot për sot SPAK, institucionet e tjera të drejtësisë, barazia para ligjit kanë garant PS dhe mua në krye të saj, falë mbështetjes suaj, por nesër pas disa vitesh, mund të dalë dikush tjetër e të thotë ‘’jo, prit se nuk është ide e mirë ajo. Ta kthejmë dhe një herë siç ishte’’ dhe ta groposë Shqipërinë për kush e di sa vite të tjera. që kjo të mos ndodhë, motra dhe vëllezër, ka vetëm një rrugë; Shqipëria në BE. Vetëm duke hyrë në atë shtëpi, vendi ynë i përbashkët nuk del dot më këtu që të bëjë interesantin edhe që të kthejë mbrapa atë që ne po arrijmë së bashku duke bërë histori, një drejtësi të pavarur nga pushteti politik. Unë dua që me shumë besim, me shumë bindje, me shumë vendosmëri të gjithë ju që jeni këtu se ju që keni ardhur këtu ju e keni ndarë mendjen se çdo bëni në 11 apo jo se s’besoj se këtu ka ardhur ndonjë njeri që…, por ama të gjithë ju që jeni këtu duhet të kuptoni dy gjera. E para, nuk na mjafton një fitore aritmetike e Partisë Socialiste, nuk na mjafton. Na duhet një fitore e madhe popullore dhe politike". /noa.al

Nga batutat e Edi Ramës në Kuçovë:

“…pa pretenduar që t’i jap Ervinit certifikatën e gjendjes civile në Kuçovë…”

“…kërraba vetëm nga Berati.”

“…ajo shtëpi [BE] nuk e ka derën të hapur orë e çast.”

“…në Greqi sot, ata që morën rrugët në fillim, janë në ankthin e pensionit…”

“…ajo është një shtëpi të pasurish… dhe aty janë dy kategori: kontribuuesit dhe përfituesit.”

“…kemi dhe ca të tjerë që shfaqen nëpër Shqipëri si parti të reja, që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të tyre.”

“…në listat e mbyllura kanë xhaxhallarë, kanë teze, kanë halla, kanë krushqira…”

“…jo qëndrimi, jo puna, jo pensioni…”

“…parti të reja që thonë: nëse ne do të na vijë në dorë kjo punë, ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme.”

“…ca t’i themi BE-së? Kemi një kënetë me një specie të veçantë…”

“…e thashë ‘ma jepni timonin vetëm’…”

“…ç’është kjo histori, tre mandate nuk mjaftuan… tani ka dalë Edi Rama thotë: duhet dhe një mandat tjetër.”

“…po si ka mundësi që Mali i Zi nuk është akoma anëtar i Bashkimit Europian?”

“…tani çfarë janë këta? Njëri më jashtë loje se tjetri, njëri më i lodhur se tjetri…”

“…çohen që në pik të sabahut, pinë uji kënete dhe fillojnë hedhin spërkla nga të katra anët…”

“…del Ludoviku thotë: ‘do t’ju hamë të gjallë’…”

“…më mirë ta marrë edhe vjehrrën dhe të votojë njëherë, pastaj të hajë ushqimet që bëjnë vjehrrat.”

“…nëse të thotë ‘jo, se do shkoj ta hedh në kënetë’, atëherë ‘mirupafshim’.”

“…këta thonë: populli është i sëmurë, populli është i çmendur, populli është i shitur…”

“…s’ka më kohë për të sqaruar ‘çfarë është bufi, si ka hyrë bufi në jetën e njerëzve’…” /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit