

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për shtyp, ka bërë publike një rezolutë emergjente të miratuar dje nga Partia Popullore Europiane (PPE) në kongresin e saj në Valencia. Dokumenti është miratuar unanimisht nga 82 partitë anëtare të grupimit të qendrës së djathtë në Europë, një javë përpara zgjedhjeve lokale të 11 majit në Shqipëri.
Sipas Berishës, rezoluta mban titullin “Mbrojtja e integritetit të procesit zgjedhor në Shqipëri” dhe, në përmbajtjen e saj, ngre një sërë shqetësimesh të forta për situatën demokratike në vend. Berisha deklaroi se në dokumenti europian "Edi Rama damkosej si armik i votës së lirë në kontinentin europian", duke u renditur përkrah figurave autoritare si Aleksandër Lukashenko.
Ndër çështjet që sipas kreut të opozitës theksohen në rezolutë janë:
Keqpërdorimi i pushtetit dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale;
Shtypja e opozitës dhe përdorimi i drejtësisë për ndjekjen penale të përfaqësuesve të saj;
Kontrolli mbi mediat dhe censurimi i rrjeteve sociale, si mbyllja e TikTok-ut;
Mosndëshkimi i krimeve zgjedhore, përfshirë blerjen e votës dhe shkeljen e fshehtësisë së saj;
Moszbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR;
Emërimet politike në sistemin e drejtësisë dhe organet ligjzbatuese.
Berisha theksoi se, sipas PPE-së, këto praktika kanë sjellë erozion të besimit në procesin zgjedhor dhe janë në kundërshtim me standardet europiane për demokraci funksionale.
Ndërkohë, kjo rezolutë deri më tani nuk është komentuar nga mazhoranca qeverisëse. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të ketë reagim zyrtar apo qartësim nga Partia Socialiste apo institucione shtetërore për të adresuar akuzat e ngritura.
Kongresi i PPE-së përfaqëson grupin më të madh politik në Parlamentin Europian dhe përfshin parti nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe nga vendet aspirante për anëtarësim. Dokumente të tilla nuk janë ligjërisht detyruese, por konsiderohen si deklarata politike që reflektojnë qëndrime të rëndësishme të familjes së djathtë europiane. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






