

Në një takim me qytetarët e Dimalit, Kryeministri Edi Rama prezantoi vizionin e tij për “Shqipërinë 2030”, duke theksuar rritjen ekonomike, uljen e borxhit publik, rritjen e pagave dhe investimet masive në infrastrukturë, shëndetësi, arsim e bujqësi.
Ai përmendi se Shqipëria sot ka kaluar 25 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe se synimi është të arrijë në 35 miliardë euro deri në vitin 2030. Paga minimale është rritur në 400 euro dhe synohet të arrijë në 650 euro, ndërsa borxhi publik është ulur në 54% me synim nën 50% brenda këtij dekadi.
Rama tha se Shqipëria ka papunësinë më të ulët në historinë e saj dhe se janë krijuar mbi 300 mijë vende të reja pune që nga 2013-a.
Në fjalimin e tij, Rama akuzoi opozitën për mungesë vizioni dhe u shpreh se Partia Socialiste është e vetmja alternativë për të çuar përpara integrimin europian. Ai tha se çdo rrugë tjetër rrezikon kthimin mbrapa dhe theksoi se në vitin 2027 do të mbyllen negociatat me BE-në, për t’u bërë zyrtarisht pjesë e familjes europiane në 2030.
Rama ka ironizuar edhe partitë e vogla opozitare, të cilat i krahasoi me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Ne duam të hyjmë në Bashkimin Evropian, ata thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Domethënë, e kishim ndjesë pastë një LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u kthye në nyje në fyt për shqiptarët, tani në vend që ta kujtojmë për 1 Maj, edhe të themi shyqyr shpëtuam nga pengmarrësit e vegjël, tani këta të tjerët thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.
E kuptoni? Të rinj? Në moshë dhe fytyrë po, por në program, në përmbajtje të politikës, të gjeopolitikës, të marrëdhënieve ndërkombëtare s’kanë lidhje fare që kur thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Kështu që duhet të fokusohemi te 11 maji, duhet të fokusohemi te anëtarësimi në Bashkimin Evropian” tha Edi Rama.
PREMTIMET KRYESORE:
Rritja e pagës minimale në 650 euro deri në 2030
Rritja e pensionit mesatar në 400 euro
Borxhi publik nën 50%
Investime të reja në infrastrukturë rurale
Mbështetje financiare për nënat me 3 ose më shumë fëmijë
Dyfishim i ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara
Zhvillim i mëtejshëm i bujqësisë me 300 milionë euro nga BE nëse anëtarësohemi

BATUTAT E RAMËS:
“Koha solli ‘97-ën, nuk sjell zhvillim pa drejtim.”
“E-Albania s’do të shkrihet, po të shpëtojë nga bufi i kënetës.”
“Kemi pasaportën drejt Europës në dorë, mos e këmbeni me broçkulla.”
Rama mbylli takimin me thirrjen që më 11 maj qytetarët të votojnë për të ardhmen europiane të vendit dhe jo për kthimin në “kënetën e së shkuarës”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






