

Berat – Godet me thikë bashkëjetuesen e ish-bashkëshortit, arrestohet 42-vjeçarja
Një ngjarje dramatike me sfond konfliktesh familjare ka ndodhur në fshatin Kamçisht të Beratit, ku një grua ka goditur me thikë bashkëjetuesen e ish-bashkëshortit të saj.
Ngjarja ndodhi dy ditë pasi e dëmtuara u procedua penalisht nga policia pasi u akuzua se kishte dhunuar djalin e të dyshuarës së sotme.
Policia e Beratit ka arrestuar në flagrancë shtetasen P. Sh., 42 vjeçe, e cila dyshohet se ditën e djeshme ka sulmuar me mjet prerës (thikë) shtetasen B. I., 41 vjeçe, banuese në të njëjtin fshat.
Viktima ka marrë plagë nga goditja, ndërsa autori është ndaluar më pas nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit.
Sipas hetimeve paraprake, konfliktet mes dy grave lidhen me një përplasje të mëparshme brenda familjes: vetëm dy ditë më parë, shtetasja B. I. ishte proceduar penalisht për “Dhunë në familje”, pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të bashkëjetuesit të saj – që është njëkohësisht edhe djali biologjik i P. Sh.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme ligjore. Policia po vijon hetimet për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






