Transmetuar më 01-05-2025, 13:17

Mbrëmjen e sotme do të luhet finalja e 73-të e Kupës së Shqipërisë, Egnatia-Dinamo City. Një ndeshje shumë interesante, që e rikthen Dinamo City në finalen e këtij kompeticioni, ndërsa Egnatia vjen si fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë.

Dy skuadrat janë përballur 27 herë në historinë e tyre dhe sonte do të luajnë ndeshjen e 28-të direkte. Rrogozhinasit numërojnë 14 fitore, ndërsa dinamovitët kanë triumfuar në 4 ndeshje. 9 sfida të tjera janë mbyllur në barazim. Sa i përket golavarazhit, Egnatia ka shënuar 33 gola, ndërsa Dinamo City 16.

Dinamo City ka fituar 13 trofe të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Egnatia ka marrë pjesë në dy finale dhe i ka fituar të dyja. Kjo do të jetë "e treta e vërteta" për skuadrën e Edlir Tetovës, e cila fitoi gjithçka sezonin e kaluar, të ashtuquajturën tripletë kombëtare, gjë që e aspiron edhe kësaj here.

Dy skuadrat kanë arritur me meritë në finalen e këtij edicioni dhe të enjten do të përballen për të fituar trofeun e 73-të në histori. Egnatia e mbylli kampionatin në vendin e parë dhe përveç pjesëmarrjes në “Final Four”, tashmë ka si fokus kryesor finalen e Kupës së Shqipërisë. Kjo është hera e tretë që rrogozhinasit arrijnë në finalen e Kupës, pasi kanë triumfuar në dy edicionet e fundit.

Dinamo City rikthehet në finalen e Kupës së Shqipërisë pas 15 vitesh. Një ekip me traditë dhe shumë eksperiencë në këtë kompeticion, sepse dinamovitët kanë fituar 13 trofe të Kupës së Shqipërisë. Objektivi i Dinamo City-t është ta rikthejë Kupën në shtëpi, ndërsa i Egnatias, të vazhdojë ta mbrojë "kurorën" dhe të qëndrojë kampione në fuqi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit