

"Ndonjëherë ëndrra duhet të presë. Jam krenar për këtë skuadër dhe për gjithçka që kemi dhënë në fushë. Faleminderit të gjithë tifozëve që kanë besuar te ne dhe na kanë mbështetur në çdo fazë të këtij rrugëtimi.
Mbështetja juaj do të thotë gjithçka për ne". Kështu e komentoi Cristiano Ronaldo, në rrjetet e tij sociale, eliminimin e Al Nassr nga Liga e Kampionëve aziatike, çka ndodhi mbrëmjen e djeshme përballë Kawasaki Frontale, i cili fitoi 3-2.
Në moshën 40-vjeçare, uria për sukses nuk duket se është shuar te sulmuesi portugez, i cili në fund të ndeshjes u pa i tronditur dhe me sy të përlotur. Që nga mbërritja e tij në Arabinë Saudite, në janar të vitit 2023, ai ka fituar vetëm një trofe, Kupën Arabe të Kampionëve me Al Nassr, në vitin 2023. T
itulli i fundit kombëtar i klubit daton që nga viti 2019 dhe këtë sezon, skuadra kryesuese Al Ittihad është 8 pikë përpara, me vetëm 5 ndeshje të mbetura për t’u luajtur ende. Sezonin e kaluar, Al Nassr nuk shkoi më larg se çerekfinalet në Ligën e Kampionëve aziatike, ndërsa këtë vit arriti deri në gjysmëfinale.
Shenjat e fatit duket se e lidhin gjithmonë Messin me Cristiano Ronaldon, me një fill të pandashëm: dy yjet më të mëdhenj që futbolli i dy dekadave të fundit ka njohur, u eliminuan në të njëjtën mbrëmje nga dy kompeticionet kontinentale përkatëse.
Messi u eliminua nga “Concacaf Champions Cup”, ndërsa Ronaldo nga Champions League aziatike. Pas humbjes 3-2 të Al Nassr ndaj Kawasaki Frontale në gjysmëfinale, edhe Inter Miami i Messit u eliminua, po në gjysmëfinale, duke dështuar të përmbysë rezultatin ndaj Vancouver Whitecaps, që fitoi 3-1, pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë.
Pavarësisht golit të avantazhit nga Jordi Alba, që i dha shpresë skuadrës së trajnerit Javier Mascherano, në pjesën e dytë erdhën 3 gola që e rrëzuan Messin dhe shokët e tij të ekipit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






