

Nën dritat e “Montjuïc”, Barcelona dhe Interi dhuruan një spektakël që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve të futbollit. Një ndeshje e çmendur, emocione pa fund dhe rezultati 3-3, që i lë hapur të gjithë skenarët për sfidën e kthimit në “San Siro”. Ish-trajneri legjendar i Milanit, Arrigo Sacchi, nuk e fsheh entuziazmin për atë që pa në fushë.
Starti ishte i pabesueshëm për zikaltrit, me avantazhin 2-0, ndërsa në pjesën e dytë, sipas Sacchi, Interi u rishfaq me fytyrën e skuadrës së guximshme. Për sa iu përket pritshmërive, ai pranon se katalanasit i lanë një shije të përzierë. Përballë një ndeshjeje kaq të balancuar, verdikti i rezultatit i duket i drejtë. Sa i përket të ardhmes dhe kualifikimit, Sacchi nuk e fsheh optimizmin e tij për skuadrën e Inzaghit.
Si ju duk ndeshja e mbrëmshme?
Një ndeshje e mrekullueshme, triumf i futbollit. Interi shpërtheu me dy kundërsulme vdekjeprurëse dhe dy gola të shpejtë, pastaj reagoi Barcelona, edhe për shkak të një qëndrimi pak të tërhequr nga ana e zikaltërve. Të shtyrë nga fenomeni i quajtur Yamal, katalanasit shkuan në pushimin mes dy pjesëve me rezultatin 2-2. Me të vërtetë ishin 45 minuta për duartrokitje.
Po në pjesën e dytë?
Interi u kthye në fushë me një qëndrim ndryshe nga sa e kishte mbyllur pjesën e parë. M’u duk më agresiv, më lart në fushë, madje tentoi ta shtypte Barcelonën. Dhe pastaj erdhi goli i Dumfries për 3-2. Në duelet ajrore, zikaltërit kanë qenë dhe janë dukshëm superiorë, kjo duhet të jetë një armë për t’u shfrytëzuar edhe në kthim.
A e prisnit kështu këtë ndeshje?
Do të jem i sinqertë: prisja diçka më shumë nga Barcelona, sidomos në pjesën e dytë. I kam ndjekur katalanasit gjatë gjithë sezonit dhe në raste të tjera më kanë impresionuar më shumë. Këtë herë, Interi ia doli t’i përmbajë, të mbyllë hapësirat, të vuajë kur duhej të vuante me një shpirt sakrifice të jashtëzakonshëm. Dua ta përgëzoj Inzaghin, sepse kuptoi si ta përballonte Barçën, e vuri në vështirësi dhe tregoi se mund të luajë si i barabartë.
Barazimi a ishte rezultat i drejtë?
Po. Është e vërtetë që Barcelona e mbajti më shumë topin dhe pati raste, sidomos në pjesën e parë. Por po aq e vërtetë është që Interi kaloi dy herë në avantazh, 2-0 dhe më pas 3-2, shënoi edhe golin e 4-3 që u anulua për pak centimetra… Prandaj, mendoj se forcat në fushë u barazuan, ndonëse me dallimet e tyre të natyrshme në stil.
Si e shihni tani kalimin e turit?
Besoj se Interi mund t’ia dalë. Tani është thelbësore të rikuperojë energjitë fizike dhe psikologjike, unë e di mirë sa shumë shpenzohen në ndeshje të tilla. Pastaj, pse jo, të rikthehen disa lojtarë që janë të rëndësishëm për zikaltërit. Këtu mendoj qartazi për Lautaron dhe Dimarcon. Nga pikëpamja e lojës, mendoj se Interi i ka të gjitha mundësitë për ta vënë Barcelonën në vështirësi në ndeshjen e kthimit në “San Siro”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






