

Lamine Yamal po konfirmon gjithnjë e më shumë statusin e një ylli absolut, një nga më të mirët, nëse jo më i miri, në botën e futbollit aktual. Në gjysmëfinalen Barcelona-Inter 3-3, ai mahniti edhe më tepër: një gol, dy traversa, veprime të klasit të lartë dhe vlerësime të shumta, përfshirë edhe ato të kundërshtarëve. Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, deklaroi: “Një si ai lind çdo 50 vite”.
Në studiot e “Sky Sport”, ky lloj debati ishte i pashmangshëm: A mund ta arrijë nivelin e Messit? Zvonimir Boban u tregua i matur: “Nuk do të arrijë kurrë afër Messit. Kjo nuk do të thotë që nuk është një gjeni i futbollit dhe që nuk mund të arrijë nivelet e Ronaldinhos apo Neymarit.
Megjithatë, Messi dhe Maradona ishin ndryshe, më të shpejtë dhe fizikisht më të fortë. E pastaj, golat… Yamal shënon, po, por Messi realizonte 50 gola në sezon. Kjo është ndjesia ime, por shpresoj të jem gabim, për të mirën e djalit”.
Boban kishte shprehur një vërejtje edhe përpara ndeshjes, gjatë nxehjes: “Do të doja ta shihja më pak ‘fenomen’, me këto flokët e rinj, me pak shpërqendrim, çka e vura re në Kupën e Mbretit. Duhet të kënaqet vetë duke luajtur, por me përgjegjësi”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






