

Interi arriti një barazim spektakolar 3-3 në transfertë ndaj Barcelonës. Pak e kishin parashikuar një rezultat të tillë në ndeshjen e parë të gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, veçanërisht duke marrë parasysh momentin e vështirë që po kalonin zikaltrit, pas tri humbjeve radhazi kundër Bologna, Milanit dhe Romës në Serie A dhe Kupë, pa shënuar asnjë gol në 270 minuta lojë.
E sigurt është që sfida e kthimit në “San Siro”, pas më pak se një jave, mbetet e hapur dhe e paparashikueshme. Megjithatë, pavarësisht paraqitjes së guximshme në “Montjuïc”, Interi nuk do të mund të përfitojë nga asnjë lloj avantazhi, pasi rregulli i golit jashtë fushe është hequr tashmë prej disa vitesh.
Pikërisht mbi këtë çështje ka reflektuar Thierry Henry, legjenda franceze dhe ish-sulmuesi i Arsenalit, i cili gjatë programit “CBS Golazo” ngriti pikëpyetje mbi drejtësinë e kësaj rregulloreje, sidomos në dritën e rezultateve si ai i ndeshjes së mbrëmshme:
“E di që duhet ta pranojmë dhe që ky është rregulli, por si mund të shënosh 3 gola jashtë fushe dhe të mos kesh asnjë avantazh? Goli jashtë fushe, sipas meje, është i vështirë për t’u realizuar. Duhet t’i japim merita Interit për paraqitjen që bëri, sepse sinqerisht nuk prisja që mund të shënonte 3 gola në fushën e Barcelonës”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






