

Barazimi 3-3 ndaj Interit në Montjuïc e la Barcelonën me shije të përzier, pas një paraqitjeje spektakolare, por e paekuilibruar në shumë momente. Ndër protagonistët absolutë ishte sërish Lamine Yamal, talenti 17-vjeçar që la gjurmë me një gol dhe një traversë, duke treguar edhe një herë se është i gatshëm për sfida të mëdha. Pas ndeshjes, ai komentoi situatën për mikrofonët e “MARCA”, duke ruajtur qetësinë dhe treguar ambicien për kthimin ndaj Interit.
“Mendonim se mund ta fitonim ndeshjen, por në rregull është edhe kështu. Tani mendojmë për ndeshjen e kthimit dhe për të fituar atje”, – tha Yamal me vendosmëri, duke treguar besim në forcën e skuadrës së tij.
Para ndeshjes pati një moment tensioni. Yamal u kthye në dhomat e zhveshjes gjatë nxehjes për një problem fizik, që fatmirësisht nuk rezultoi pengesë për aktivizimin e tij: “Ndjeva diçka të çuditshme kur godita topin. U ktheva për t’u nxehur edhe pak më shumë dhe pastaj arrita të luaj mirë”.
Yamal nuk ishte vetëm i rrezikshëm me golin, por edhe afër dygolëshit, kur goditja e tij u ndal në traversë: “Gjithmonë mundohem të jap gjithçka për skuadrën. Edhe sonte dhashë maksimumin, mendoj se shkoi mirë. Natyrisht, doja më shumë, doja ta fitoja ndeshjen. Në kthim do të japim gjithçka dhe mendoj se do të kalojmë në finale”.
Sa i përket momentit të traversës, ai sqaroi: “Doja të gjuaja në portë, por Ferran (Torres) ma dha topin shumë fort dhe më doli kështu. Ishte gjithsesi një tentativë drejt portës”.
Yamal nuk e fshehu zhgënjimin në fundin e ndeshjes, por ruan qetësinë: “Gjithmonë mendoj për të fituar, është gjëja më e rëndësishme, prandaj isha pak i zhgënjyer. Tani jam i fokusuar te gjysmëfinalja e kthimit”.
Falënderimet shkuan edhe për publikun e pranishëm: “Iu jam mirënjohës tifozëve, sepse e vlerësojnë punën time. Mendoj të argëtohem dhe të vazhdoj të jap kontributin tim maksimal për Barcelonën”.
Mesazhi i fundit ishte i qartë, për ndeshjen e kthimit në “San Siro”, më 6 maj: “Do të japim gjithçka në Milano. Jemi një hap larg finales. Ishim superiorë, por nuk mjaftoi. Do të shkojmë atje për të fituar”.
Barcelona beson ende dhe për sa kohë ka një lojtar si Yamal në fushë, gjithçka është e mundur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






