

Hansi Flick nuk e fshehu zhgënjimin për tre golat e pësuar, por vlerësoi reagimin e lojtarëve të tij, pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit:
“Nuk e nisëm mirë, pësuam dy gola, por arritëm të rikuperojmë dhe luajtëm shumë mirë në pjesën e dytë. Ishte një spektakël për tifozët, por ishte vetëm përballja e parë mes dy skuadrave, tani duhet të fitojmë në Milano. Kthimi ndaj Interit do të jetë një finale para finales së madhe të Champions-it”.
Trajneri gjerman më pas theksoi edhe paraqitjen e madhe të kundërshtarit: “Po flasim për një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, me skuadra të mëdha. Zikaltrit kanë eksperiencë, ishin më të mirë në goditjet standarde, luajtën shumë mirë dhe përfituan nga çdo mundësi”.
Në fund, një lavdërim për Yamal: “Edhe sot tregoi se është lojtar i madh, na hapi rrugën e barazimit me golin e tij (1-2), që ishte shumë i rëndësishëm. Duhet të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”.
Pas ndeshjes foli në “mixed zone” edhe Ferran Torres, i cili shprehu besim të madh për kalimin e Barcelonës në finale: “Në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve gjithçka mund të vendoset edhe nga goditjet standarde.
Sot ata shënuan dy gola kështu, do të shohim çfarë mund të përmirësojmë, sidomos për të mos e lejuar më këtë në kthim, sepse në këtë aspekt zikaltrit janë shumë të fortë. Tifozëve tanë iu them të kenë besim. Edhe pse kthimi është jashtë fushe, do t’ia dalim dhe do të kualifikohemi ne”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






