

Një detaj i pazakontë në Librin Papnor të Vatikanit për vitin 2025 ka ngjallur diskutime në qarqet kishtare dhe mediat ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Kardinalin Philippe Ouédraogo, për të cilin janë publikuar dy data të ndryshme lindjeje: më 25 janar 1945 në botimin e vitit 2024 dhe më 31 dhjetor 1945 në atë të vitit 2025.
Ky ndryshim nuk është thjesht formal, ai ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi të drejtën e tij për të marrë pjesë në një konklav papnor, pasi kardinalët mbi 80 vjeç e humbasin këtë të drejtë.
Rasti është raportuar fillimisht nga gazetari holandez Hendro Munsterman në Nederlands Dagblad dhe më pas u pasqyrua edhe në gazetën italiane Il Messaggero.
Ndryshimi është reflektuar jo vetëm në botimet zyrtare të Vatikanit, por edhe në portalin online të Selisë së Shenjtë.
Në një intervistë me Munsterman, Kardinali Ouédraogo, me origjinë nga Burkina Faso, dha një shpjegim të thjeshtë, por domethënës:
“Në fshatin tim nuk kishte spitale apo shkolla. Unë linda në shtëpi dhe nuk më dhanë një datë lindjeje”. Sipas tij, data 25 janar u vendos rastësisht kur hyri në seminar, dhe ajo më pas u konfirmua në dokumentet kishtare, përfshirë në shugurimin si prift në vitin 1973.
Ndërkohë, në pasaportën e Kardinalit Ouédraogo figuron data 31 dhjetor 1945.
Kjo nuk është një mospërputhje rastësore. Siç shpjegohet në Il Messaggero, në Burkina Faso kjo është një praktikë administrative e njohur: kur data e lindjes së dikujt është e panjohur, autoritetet shtetërore caktojnë automatikisht 31 dhjetorin si datë zyrtare. Një konventë burokratike që është zbatuar për mijëra qytetarë të atij vendi.
Ndryshimi i datës në botimin më të fundit të Librin Papnor ka ngritur pikëpyetje se përse ky rregullim është bërë vetëm tani. Zëdhënësi i Zyrës së Shtypit të Vatikanit u shpreh shkurtimisht: “Është e mundur që të kenë mbërritur disa dokumente”.
Megjithatë, nuk dihet saktësisht nëse kjo ka ndodhur për të harmonizuar të dhënat me dokumentet civile të Burkina Fasos apo për ndonjë arsye tjetër zyrtare.
Nëse merret për bazë data 25 janar 1945, Kardinali Ouédraogo ka mbushur 80 vjeç në fillim të këtij viti, çka do të thotë se nuk ka më të drejtë vote në një Konklav.
Por nëse konsiderohet si datë zyrtare ajo e pasaportës, pra 31 dhjetor 1945, ai do ta ruante këtë të drejtë edhe për disa muaj. Kjo diferencë mund të jetë vendimtare në rastin e një thirrjeje të papritur për zgjedhjen e Papës së ardhshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd