Transmetuar më 30-04-2025, 21:19

Kapsula e kthimit e anijes kozmike kineze "Shenzhou-19", me astronautët Cai Xuzhe, Song Lingdong e Wang Haoze, arriti të mërkurën në vendin e zbritjes në Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore.

Personeli i mbikëqyrjes dhe kujdesit mjekësor në vend pohoi se të tre astronautët ishin mirë me shëndet.

Misioni me astronautë "Shenzhou-19" ishte një sukses i plotë, njoftoi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA).

"Shenzhou-19" u nis më 30 tetorin e vjetshëm nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore. Anija kozmike kreu më vonë një takim të shpejtë automatik dhe u lidh me kombinimin e stacionit hapësinor.

Tre astronautët qëndruan në orbitë për 183 ditë, kohë gjatë së cilës kryen tre ecje në hapësirë, duke thyer rekordin e mëparshëm botëror për ecjen më të gjatë në hapësirë të vendosur nga ekuipazhi i "Shenzhou-18".

Ata e vendosën rekordin gjatë ecjes së tyre të parë në hapësirë më 17 dhjetor 2024, e cila zgjati për nëntë orë, njoftoi CMSA.

Ekipi kreu gjithashtu një gamë të gjerë eksperimentesh të shkencës hapësinore të fushave të ndryshme, duke përfshirë fizikën themelore në mikrogravitet, shkencën e materialeve hapësinore, shkencën e jetës hapësinore, mjekësinë e hapësirës ajrore dhe teknologjinë hapësinore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit