

Autoritetet kanë shpallur në kërkim 67-vjeçarin Arjan Telhallarin si dhe djalin e tij, 24-vjeçarin me iniciale L.Telhallari, si personat përgjegjës për ngjarjen e ditës së djeshme të ndodhur pranë zyrës elektorale të Partisë Socialdemokrate në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet.
Referuar njoftimit të policisë, ngjarja ka nisur në një lokal aty pranë teksa 24-vjeçari është konfliktuar për motive të dobëta me Lendi Palaj.
Pas konfliktit 24-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është rikthyer më pas me babanë e tij, Arjan Telhallarin, i cili dyshohet se me vete ka pasur dhe armë zjarri.
Arjan Telhallari ka kërkuar në zonë 27-vjeçari me të cilin ishte konfliktuar më parë djali i tij, moment në të cilin ka dëmtuar dhe fasadën e zyrës elektorale të PSD-së të ndodhur në zonë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1: shpallën në kërkim shtetasit L. T., 24 vjeç dhe A. T., 67 vjeç, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se ditën e djeshme, në një lokal, në rrugën “Ali Demi”, fillimisht janë konfliktuar për motive të dobëta, 24-vjeçari dhe 1 shtetas tjetër.
Pas konfliktit, shtetasi L. T. është larguar nga vendngjarja, ku është rikthyer më pas, me babanë e tij, shtetasin A. T., i cili dyshohet se ka patur armë me vete.
Ata kanë kërkuar në zonë, 27-vjeçarin me të cilin ishte konfliktuar shtetasi L. T., dhe gjatë kësaj kohe kanë dëmtuar me send të fortë, xhamin e një zyre elektorale që ndodhet në këtë zonë.
Punohet për kapjen e shtetasve të implikuar në këtë rast dhe për zbardhjen e rrethanave.
Sakaq ditën e djeshme autoritetet njoftuan se në zonë janë gjetur dhe dy fishekë të paplasur, ndërsa u dyshua se Arjan Telhallari ishte konfliktuar me persnat që ndodheshin brenda zyrës së Partisë Socialdemokrate.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






