

Kurbin, 30 prill 2025 – Dy shtetas me precedent penal janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kurbinit gjatë një operacioni të koduar “Alarmi”, pasi u kapën duke vjedhur në një lokal në fshatin Fushë Gjormë.
Ngjarja ndodhi rreth mesnatës, kur shtetasi A. I. njoftoi Policinë se dy persona kishin thyer xhamin e lokalit të tij me qëllim për të vjedhur para dhe produkte. Shërbimet policore u nisën menjëherë në vendngjarje dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional, bënë të mundur kapjen në flagrancë të autorëve brenda lokalit.
Të arrestuarit janë shtetasit Gjergj Gjoka, 65 vjeç, dhe Besjan Dervishi, 38 vjeç, i njohur edhe me emrin Besjan Tusha, të dy banues në Kurbin. Ata u kapën në momentin që po vidhnin xhiron ditore dhe pije alkoolike nga lokali.
Të dy personat rezultojnë me precedent të theksuar penal për vepra të ngjashme. Policia njofton se hetimet po vijojnë për të verifikuar nëse ata janë autorë të vjedhjeve të tjera në zonë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Lezhës për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






