Transmetuar më 30-04-2025, 14:09

Është publikuar një video ku shfaqet një person që dyshohet se është autori i vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha, ngjarje që ndodhi disa ditë më parë në qytetin e Vlorës.

Në pamjet filmike duket një person me kapuç, i cili largohet nga rrugica ku u ekzekutua viktima. Vrasësi ishte i kamufluar në mënyrë të sofistikuar: kishte vendosur një maskë silikoni që i mbulonte të gjithë fytyrën, një bark artificial, si dhe mbante maskë AntiCovid dhe kapele për të fshehur çdo detaj të identitetit të tij.

Të mërkurën në mëngjes, policia arrestoi një person të dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të rëndë. Bëhet fjalë për shtetasin Erlis Mehmeti, i cili, sipas burimeve policore, dyshohet se ka vënë në dispozicion të autorit automjetin e tij.

Për të humbur gjurmët, mjeti i përdorur ishte pajisur me targa të vjedhura. Gjatë ndalimit, Mehmetit iu sekuestrua edhe aparati celular, ku dyshohet se mund të gjenden komunikime me autorin apo autorët e dyshuar të vrasjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kanë identifikuar edhe një tjetër person të dyshuar si autor të drejtpërdrejtë të vrasjes së Renato Hoxhës. Ky person, i cili dyshohet se është ai që shfaqet në video duke u larguar nga vendngjarja, mendohet se është larguar drejt Greqisë pas krimit.

Edhe pse ende nuk është bërë publike një pistë zyrtare, hetuesit dyshojnë se vrasja mund të jetë e lidhur me ngjarje kriminale të mëparshme në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve, Renato Hoxha dyshohet se ka qenë informator mes grupeve kriminale rivale, çka mund të ketë çuar në urdhërimin e ekzekutimit të tij nga jashtë vendit.

Arrestimi i një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar pritet të ndihmojë në konfirmimin dhe forcimin e pistave hetimore, të cilat po çojnë drejt zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje, që fillimisht dukej sikur ishte kryer pa lënë gjurmë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit