

Brazili “sulmon”, Ancelotti “mbrohet”. Dhe “ndeshja” është e gjatë, por nga Rio duan ta mbyllin menjëherë. Madje për disa, ajo është tashmë e mbyllur. Të hënën në mbrëmje, ndërsa Madridi vuante për shkak të një “blackout” 10-orësh që e paralizoi krejtësisht, në rrjete sociale qarkullonte lajmi se marrëveshja mes trajnerit të Real Madridit dhe CBF-së (Federatës Braziliane të Futbollit) ishte e kryer. “Martesa” e re, sipas këtyre zërave, do të nisë në qershor, kur Brazili ka dy ndeshje shumë të rëndësishme kundër Ekuadorit në Guayaquil më 4 qershor dhe Paraguajit në “Maracaná” më 10 qershor.
Një lëvizje e nxituar, sepse presidenti i CBF-së, Ednaldo Rodrigues, ka nevojë për siguri, tani. Që kur Tite u largua, ai ka emëruar dhe shkarkuar tre trajnerë: Menezes, Diniz dhe Dorival, të gjitha zgjedhje katastrofike që e kanë futur Brazilin në një krizë teknike dhe morale paprecedentë
Rodrigues e do Ancelottin. Edhe Ancelottit i pëlqen Brazili. Por Carlo e ka ndërtuar gjithë karrierën e tij madhështore mbi një parim të palëkundur: besnikërinë. Nuk ka folur kurrë keq për një punëdhënës, as kur ka pasur mijëra arsye për ta bërë. Edhe tani nuk ia rrok mendja ta tradhtojë Real Madridin, klubin që dashuron më shumë pas Milanit, kur ende i kanë mbetur 14 muaj kontratë.
Të hënën, Ancelotti ndodhej jashtë Spanjës. Kur u përball me thashethemet në rrjetet sociale, nuk ngriti vetullën, por supet, i mërzitur më shumë sesa i irrituar. Për të, asgjë nuk ka ndryshuar: vetëm kur Real Madridi do t’ia komunikojë shkarkimin, atëherë do të vendosë për të ardhmen. Mund të jetë në Brazil, në pension, apo ndoshta në mënyrë romantike te Roma ose Milani, nëse këto klube do të arrijnë të prekin “telat e ndjeshmërisë” së trajnerit nga Reggio Emilia. E vështirë, gati e pamundur, por nëse e shohin të arsyeshme, Roma dhe Milani duhet ta provojnë.
Reali ndërkohë është drejt Xabi Alonsos, që së bashku me Bayer Leverkusen, pret një sinjal nga Florentino Pérez, presidenti i Realit dhe njeriu që kontrollon të gjitha fijet e kësaj tresheje mes Spanjës, Brazilit e Gjermanisë.
Ancelotti nuk ka asnjë qëllim të bëjë marrëveshje të fshehta me Brazilin derisa të shkarkohet nga Reali. Nuk mund të përgatisë grumbullime për Seleçaon në mënyrë të fshehtë. Aq më pak të paraqitet në Guayaquil me një skuadër që nuk e njeh, në një situatë pranë shpërthimit nervor, pasi Brazili sapo ka humbur 4-1 ndaj Argjentinës. Ekuadori është i dyti në grupin kualifikues të Amerikës së Jugut.
Carlo po pret një takim me Florentino Pérez, që ende nuk ka ndodhur. Mund të ndodhë këtë javë, por nuk është e sigurt. Deri atëherë mund ta dëgjojë Ednaldo Rodriguesin (dhe vetëm atë), por të paktën deri më 11 maj, kur luhet “El Clásico” që mund të vendosë La Liga-n, për Ancelottin nuk ekziston asnjë Brazil. Pas kësaj date, ndoshta gjërat do të ndryshojnë.
La Liga përfundon më 25 maj, deri atëherë Carlo është i përkushtuar vetëm për Realin. Në atë moment, Brazili do të ketë bërë tashmë grumbullimet. Do t’i mbetet Rodriguesit të vendosë nëse do të caktojë një tjetër trajner provizor në stol për ndeshjen në Guayaquil.
Carlo ka qenë gjithmonë i qartë: “Në Madrid jam shumë mirë, do të iki vetëm kur të më largojnë. Edhe atëherë do t’i falënderoj të gjithë”.
Ancelotti ka një lidhje të thellë me Realin: dy periudha (nga 2013-2015 dhe nga 2021 e në vazhdim), 3 Champions League, është trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të kthehet një herë të tretë, ndoshta si president nderi.
Por për këtë, ai duhet të ndahet në mënyrë të ndershme, jo përmes marrëveshjeve të fshehta me Brazilin. Ancelotti e ka fituar respektin, nuk ka nevojë ta rrezikojë trashëgiminë e tij me veprime të pabesueshme. Brazili është i dëshpëruar për ta pasur Ancelottin në stol, ndaj për këtë po nxiton të shpërndajë thashetheme të parakohshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






