Transmetuar më 30-04-2025, 09:10

PSG doli fitimtar nga “Emirates Stadium”, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League. Goli i vetëm i takimit, i shënuar nga Dembélé në minutën e katërt, mjaftoi për t’iu dhënë fitoren francezëve ndaj Arsenalit. Një fitore e rëndësishme për ekipin e Luis Enrique, por ndeshja e kthimit në Paris do të jetë vendimtare.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes. Në intervistën për “Amazon Prime”, ai komentoi: “Jam i zhgënjyer nga rezultati. Dhamë shumë në këtë ndeshje. Në 10-15 minutat e para patëm vështirësi për të gjetur ritmin dhe dominuar. Është zhgënjyese që nuk arritëm të marrim të paktën një barazim”.

Arteta pranoi cilësinë e kundërshtarit, por theksoi detajet që bënë diferencën: “Te detajet është gjithmonë rreziku, ishte merita e tyre në këtë drejtim. Kishim shtatë lojtarë pas topit te rasti i golit dhe ata ishin cinikë, ndonjëherë duhet thjesht të pranosh talentin individual”.

Për golin e anuluar të Merinos dhe rastet e humbura të skuadrës së tij: “Milimetrat e vendosën atë pozicion jashtë loje. Aksioni i Martinellit në situatën një kundër një ishte i bukur, e ka bërë edhe më parë. Trossard gjithashtu në një kundër një dhe Donnarumma priti. Këto janë diferencat, ky është niveli”.

Në vijim, Arteta u ndal edhe te mungesa e Thomas Partey: “Mendoj se Rice dhe Merino ishin të jashtëzakonshëm. Partey na jep opsione ndryshe, na jep fleksibilitet për ta ndryshuar ndeshjen. Kjo ishte vetëm gjysmëfinalja e parë, kemi një mundësi të madhe për të shkuar në finale”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit