

Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim elektoral me qytetarët e Patosit në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.
“Patosi nuk na e ka kursyer kurrë mbështetjen, por kurrë si sot nuk jemi mbledhur kaq shumë në këtë shesh,” tha Rama, duke e cilësuar 11 majin si një moment historik që shkon përtej një gare politike.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se këto zgjedhje nuk janë thjesht një përballje politike, por një “takim me historinë”, ku qytetarët vendosin mes së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe kthimit pas në të shkuarën. Ai përmendi për herë të parë faktin se Bashkimi Europian është po aq i gatshëm ta mirëpresë Shqipërinë, sa vetë shqiptarët dëshirojnë të integrohen.
Rama solli në vëmendje simbolikën historike të Skënderbeut dhe rilindasve që përcaktuan fatin e Shqipërisë si pjesë e Europës: “Për ne shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon,” tha ai, duke kërkuar që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të çuar vendin drejt BE-së.
Anëtarësimi në BE si garanci ekonomike dhe politike
Sipas kryeministrit, hyrja në BE nuk do të sjellë vetëm një status të ri, por edhe një fuqi të re ekonomike, morale dhe politike. Ai premtoi fonde të përvitshme për bujqësinë, arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën.
“Me hyrjen në atë shtëpi, Shqipëria do të përfitojë çdo vit një buxhet të ri nga Bashkimi Europian,” tha Rama, duke iu drejtuar në veçanti banorëve të fshatit dhe fermerëve, të cilët do të mbështeten për të jetuar me dinjitet dhe si të barabartë.
Mesazhi për opozitën: “Nuk mund ta bëjmë çorap vendin për interesin e një 80-vjeçari”
Kryeministri pati dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj opozitës, duke ironizuar lidershipin e saj: “Shqipëria nuk mund të kthehet pas për interesin e një 80 e kusur vjeçari, që më shumë nuk e di çfarë thotë, sesa di çfarë flet,” tha ai, pa përmendur me emër rivalin politik, por duke aluduar qartë për Sali Berishën.
Thirrje për pjesëmarrje masive dhe një krahasim me 22 marsin
Rama i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që deri në 11 maj të punojnë për të bindur edhe ata që janë të pavendosur, madje edhe demokratët, duke e krahasuar këtë moment me zgjedhjet historike të 22 marsit 1992.
“Edhe atëherë shqiptarët votuan një ndryshim për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një epokë të re. E njëjta gjë ndodh më 11 maj. Ky është treni i historisë që nuk duhet lënë të ikë,” u shpreh Rama.
Në përmbyllje, ai shprehu bindjen për një fitore rekord në qarkun e Fierit dhe ftoi qytetarët të bëjnë “qepalla Europës” me votën e tyre më 11 maj.
—
Premtimet kryesore:
Shqipëria do të ketë status të barabartë europian për çdo qytetar.
Anëtarësimi në BE do të sjellë:
Buxhet të ri vjetor për infrastrukturën.
Investime në arsim, shëndetësi dhe bujqësi.
Fundin e “korridorëve të veçantë” në pikat kufitare për shqiptarët.
Barazi para ligjit dhe drejtësi të pakthyeshme.
Mbështetje për fermerët dhe jetesën me dinjitet në fshat.
Batutat dhe frazat e spikatura:
“Kush zgjedh të parën Shqipërinë, voton 5.”
“T’ia bëjmë qepalla Europës!”
“Për ne shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon.”
“Sot nuk është vetëm dëshira jonë për të hyrë në BE, është edhe dëshira e BE që Shqipëria të hyjë brenda.”
“Nuk mund ta lëmë derën e hapur të BE-së të na mbyllet para syve.” /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






