Transmetuar më 29-04-2025, 14:24

Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, gjatë një aktiviteti të zhvilluar sot në Fier, prezantoi ato që ai i cilësoi arritjet kyçe në sektorin e energjisë, investimet e realizuara dhe objektivat afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se sajë projekteve të ndërmarra për diversifikimin e burimeve të energjisë, Shqipëria është në rrugën drejt pavarësisë së plotë energjetike nga çdo ndikim i jashtëm dhe do të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë elektrike brenda kësaj dekade.

Kryeministri vlerësoi praninë e aktorëve të rëndësishëm të sektorit të energjisë dhe theksoi se transformimi i këtij sektori ishte një faktor kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. "Fakti që sot jemi në një tryezë negociatash me BE-në nuk do të ishte i imagjinueshëm nëse do të kishim ende situatën e dikurshme të energjisë," deklaroi ai.

Rama vuri në dukje se prodhimi i brendshëm i energjisë është tashmë pothuajse i dyfishuar krahasuar me fillimin e përpjekjeve për transformim, ndërkohë që baza prodhuese është diversifikuar, duke kaluar nga një sistem tërësisht i varur nga hidrocentralet, në një sistem me burime të ndryshme.

Në kushtet e ndryshimeve klimatike, prodhimi vetëm nga burimet ujore është bërë i paparashikueshëm, ndaj, sipas Ramës, investimi në energji diellore dhe eolike është thelbësor për të ardhmen. "Kemi tashmë 10% të prodhimit që vjen nga dielli, dhe falë projekteve të reja me energjinë e erës dhe inovacioneve si sistemi i pompimit të ujit nga ‘Statkraft’, besoj se pavarësia e plotë energjetike është shumë afër," tha ai.

Kryeministri theksoi gjithashtu se transformimi i Shqipërisë në një vend eksportues të energjisë elektrike është në prag të realizimit. “Praktikisht janë dy zhvillime historike që, nëse gjithçka ecën sipas planeve, Shqipëria brenda kësaj dekade do të jetë energjetikisht e pavarur dhe do të eksportojë më shumë energji sesa konsumon," u shpreh Rama.

Ai vuri në dukje gjithashtu progresin e rëndësishëm në rrjetin e transmetimit të energjisë, duke përmendur si arritje kryesore marrëveshjen me Italinë për linjën e interkonjeksionit, realizuar pas bashkëpunimit tripalësh me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se humbjet në rrjet janë tashmë në nivelet e vendeve normale europiane, ndërsa kujtoi se vetëm një dekadë më parë Shqipëria ishte ndër vendet me praktikat më problematike në këtë drejtim. “Dikur ishim fenomen ekstraeuropian, ku energjia ose vidhej, ose merrej pa paguar. Sot jemi në një realitet tjetër," përfundoi kryeministri. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit