

Joan Laporta është shumë i lumtur me një tjetër sukses këtë sezon, kundër Real Madridit, pas një fundjave të mbushur me polemika: "Florentino më bëri komplimente pas finales. Kemi një marrëdhënie respekti të ndërsjellë, folëm para dhe pas ndeshjes. Për ne, ajo që ndodhi para ndeshjes ishte thjesht një strategji.
Ne donim të flisnim për futboll. ‘El Clásico’ është një ndeshje që sjell pasion, rivalitet maksimal, cilësi të lartë futbollistike. E dinim që do të ishte spektakël i denjë. E përballuam në këtë mënyrë, bëmë atë që duhej bërë dhe nuk u përfshimë në polemika, të cilat nuk na interesonin. U përqendruam tek objektivat tanë".
Për festimin gjatë ndeshjes: "Zakonisht nuk ngrihem në këmbë në tribunën e autoriteteve. Pas golit të Koundé u çova instinktivisht, por nuk doja të tregoja mungesë respekti ndaj askujt. Kështu që ngrita krahët dhe u ula shpejt. Ishte një reagim spontan".
Për gjykimin në finalen e Kupës: "Më pëlqeu gjykimi në përgjithësi. VAR-i ishte i rëndësishëm në disa vendime. Asgjë nuk është perfekte, as loja e skuadrave dhe as performanca e gjyqtarit…, por ishte gjykim i mirë, nuk ka çfarë të thuhet për të".
Për Flick dhe të ardhmen: "Flick e di që duam që të qëndrojë sa më gjatë. Është një trajner i mirë për aftësitë personale dhe sportive, për mënyrën se si e kupton klubin. Sidoqoftë, është një trajner që preferon t’i marrë gjërat vit pas viti. Ka kontratë deri në vitin 2026, por zona sportive e klubit po punon për të planifikuar të tashmen dhe të ardhmen e afërt.
Ai që vendosi që Flick të bëhej trajner i Barcelonës ishte Deco. Është meritë e tij dhe e Bojan Krkic, të cilët analizuan karakterin dhe stilin e tij të lojës nga një perspektivë futbollistike dhe profesionale. Mua më pëlqeu që në fillim. Kishte edhe opsione të tjera, por ata zgjodhën atë, ndaj unë do të kisha pranuar çdo zgjedhje që do të bënin".
Për rinovimin e Lamine Yamal: "Edhe ky është një vendim i komisionit sportiv nga pikëpamja teknike, më pas ka një pjesë që ka të bëjë me ekonominë e klubit, që vendoset nga bordi drejtues dhe presidenti".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






