Transmetuar më 29-04-2025, 08:56

Tripleta, ëndrra që e elektrizoi ambientin zikaltër këtë sezon, është shuar përfundimisht. Pas eliminimit dramatik nga Kupa e Italisë kundër Milanit dhe kampionatit që po i rrëshqet nga duart, Interi i Simone Inzaghit përballet me realitetin e hidhur: nuk është më zot i fatit të vet. Dhe kur flitet për tripletë sezonale, kush më mirë se Massimo Moratti mund të japë një verdikt.

Në një intervistë për “Radio Kiss Kiss”, ish-presidenti legjendar i Interit kujtoi emocionet e majit të paharruar 2010, duke dhënë edhe një mesazh të qartë për situatën aktuale: “Ditën e tripletës isha shumë entuziast, por ndjeva gjithashtu që ajo ndjesi ishte ndryshe nga ajo që prisja. Arritja e një rezultati, që e imagjinoja si shumë më të vështirë, ia lë vendin direkt diçkaje tjetër. Sapo fiton, duhet të mendosh menjëherë për atë që vjen më pas. Ta arrish të pamundurën, të heq pak nga lumturia”.

Moratti, i cili e ka ngulur njëherë e përgjithmonë emrin në historinë e Interit, e sheh me skepticizëm mënyrën si u menaxhua presioni këtë sezon: “Mua më është dukur e çuditshme që flitej shumë për tripletën tek Interi kohët e fundit. Në kohën time, nuk u fol kurrë për tripletën. Vetëm pasi e fituam, kuptuam që ishte tripletë. Nuk ishte një obsesion”.

Për pasojat e kësaj, Moratti nuk lë vend për interpretime: Interi i Inzaghit është lëkundur nga brenda. “Eliminimi nga Kupa e Italisë krijoi zhgënjim tek Interi i Inzaghit, pësoi ngatërresë objektivash. Skuadra është pak e lodhur”, – shtoi ish-presidenti.

Në këtë garë të ashpër të fundsezonit, sipas Morattit, favoriti për titull në Serie A duket qartë: “Mendoj se Napoli ka më shumë mundësi, edhe për shkak të Contes në stol, i cili di si t’i menaxhojë momentet vendimtare”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit