

Arsenali është vetëm dy hapa larg ëndrrës së madhe: finales së Ligës së Kampionëve. Në prag të sfidës së parë gjysmëfinale ndaj PSG, që do të luhet sonte në mbrëmje në “Emirates”, Mikel Arteta është shfaqur i vendosur dhe entuziast në konferencën për shtyp.
"Është një mundësi e pabesueshme, jemi këtu për t’i bërë njerëzit të lumtur", – deklaroi trajneri spanjoll, i cili ka shansin të realizojë atë që Arsène Wenger nuk e arriti kurrë në drejtimin e stërgjatë të “topçinjve”.
Arteta u ndal më pas edhe te gjendja fizike e disa prej lojtarëve kyç, duke sqaruar: "E dimë situatën e Mikel (Merino) dhe Ben (White), fatkeqësisht humbëm Thomas (Partey). Ben dhe Mikel kanë mundur të stërviten, do të shohim nëse do të jenë në gjendje ta nisin titullarë. Calafiori nuk ka mundur të stërvitet".
Në këtë moment historik për klubin londinez, atmosfera në kampin e Arsenalit është optimiste dhe ambicioze: "Po, e ndjen kudo entuziazmin në klubin tonë, është diçka unike. Jemi plot energji dhe entuziazëm, mezi presim të luajmë. Është një histori e bukur, por duam më shumë se sa kemi arritur deri tani në Champions".
I pyetur nëse kjo mund të jetë nata më e madhe e karrierës së tij, Arteta u përgjigj pa hezitim: "Po, besoj se po, që nga momenti që kam përjetuar gjithçka, edhe si lojtar. Shpresojmë që të jetë një mbrëmje e paharrueshme, që të na vërë bindshëm në rrugën e finales së Champions League ".
Megjithatë, trajneri spanjoll ruan një qasje realiste kur i përmendet mundësia që Arsenali të konsiderohet favorit: "Nëse e shohim nga historia, do të thoja jo, sepse asnjëherë nuk e kemi fituar dot Champions League".
Në fund, një vlerësim edhe për mesfushorin Declan Rice, blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit: "Shpresojmë që, duke fituar shumë trofe bashkë, të mund ta justifikojmë këtë shifër. Besoj se ka bërë disa hapa të tjerë përpara duke luajtur me Arsenalin".
Në Londër, ëndrra është kthyer në objektiv konkret: Arsenali kërkon të shkruajë historinë dhe ta vendosë emrin e vet mes të mëdhenjve të Europës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






