

Madrid- Ministria e Brendshme e Spanjës ka shpalluar gjendjen e jashtëzakonshme pasi një ndërprerje e energjisë elektrike mbarëkombëtare goditi pjesën më të madhe të Gadishullit Iberik. Ministria shtoi se statusi i emergjencës do të zbatohet në rajonet që e kërkojnë atë. Deri më tani, Madridi, Andaluzia dhe Extremadura kanë kërkuar që qeveria qendrore të marrë përsipër rendin publik dhe funksione të tjera.
Më herët kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka bërë thirrje për përdorim të përgjegjshëm të telefonave, duke theksuar se sektori i telekomunikacionit po kalon një moment kritik. Sanchez gjatë deklaratës theksoi se ende nuk ka informacion përfundimtar mbi shkaqet e ndërprerjes së energjisë që ka prekur pjesë të ndryshme të vendit.
Por u siguroi qytetarëve se për momentin nuk ka kërcënim për sigurinë publike. Kryeministri theksoi se sistemet e pagesave dhe bankingu dixhital po funksionojnë normalisht, duke qetësuar shqetësimet për ndikimin e mundshëm në jetën e përditshme. Sánchez njoftoi gjithashtu se Këshilli Kombëtar i Sigurisë do të zhvillojë një tjetër mbledhje brenda ditës për të shqyrtuar masat që mund të merren në vazhdim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






