

Autizmi Virtual: Alarm për vonesat në zhvillim te fëmijët për shkak të celularëve
Shqipëria po përballet me një problem shumë serioz dhe aktual: shfaqjen e të ashtuquajturit "autizëm virtual" tek fëmijët e vegjël për shkak të ekspozimit të tepruar ndaj celularëve dhe ekraneve që në moshë shumë të hershme.
Çrregullimet e spektrit të autizmit janë në rritje (një në 31 fëmijë) dhe ndikohen nga faktorë gjenetikë dhe ambientalë.
Autizmi virtual është një fenomen i ri, i lidhur me përdorimin e hershëm dhe të tepruar të celularëve dhe ekraneve:
Shfaq të njëjtat simptoma si autizmi klasik: vonesë në të folur, vonesë në zhvillimin social dhe emocional.
Çfarë është autizmi virtual
Në një kohë kur një në 31 fëmijë po lind me çrregullime të spektrit të autizmit, të ndikuara nga faktorë të ndryshëm gjenetikë dhe ambientalë, shfaqet edhe një fenomen i ri shqetësues: autizmi virtual. Ky është një çrregullim i ngjashëm me autizmin klasik në simptoma, por i shkaktuar nga përdorimi i hershëm dhe i pakontrolluar i celularëve dhe pajisjeve me ekran.
“Është njëlloj si autizmi, me të njëjtat shenja klinike: vonesa në të folur dhe në zhvillimin social. Po hasim gjithnjë e më shumë fëmijë që fillojnë të flasin vetëm në moshën trevjeçare,” shprehet logopedi Elis Musaraj.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i ekraneve deri në moshën 2 vjeç duhet të ndalohet në mënyrë kategorike.
Logopedi Musaraj thotë se deri 24 muajsh asnjë fëmijë nuk duhet të jetë i ekspozuar ndaj celularëve.
Përndryshe, dëmet që shkaktohen në zhvillimin e hershëm të fëmijës mund të jenë të thella dhe të vështira për t’u rikuperuar.
Në praktikën botërore, thuhet se celularët duhet të ndalohen te fëmijët deri në moshën 5 vjeçare.
Në Shqipëri, një problem shtesë është edhe diagnostikimi i vonuar. Shumë prindër dhe edukatorë në çerdhe apo kopshte nuk janë të trajnuar për të dalluar në kohë shenjat e çrregullimeve të spektrit të autizmit, çka bën që ndërhyrja të nisë shumë më vonë sesa duhej.
Përballë rritjes së rasteve të autizmit dhe autizmit virtual, kërkohet një ndërhyrje serioze e strukturave shtetërore. Mbështetja nuk duhet të kufizohet vetëm në ndihmat financiare përmes kempit, por duhet të shtrihet në trajnime për prindërit dhe edukatorët, programe të hershme diagnostikimi, si dhe krijimin e qendrave të specializuara për terapi dhe ndërhyrje zhvillimore.
Në këtë realitet të ri, ndërgjegjësimi i prindërve për rolin e madh që luan përdorimi i ekraneve në zhvillimin e trurit të fëmijës është një hap kyç për të parandaluar dëmet afatgjata dhe për të siguruar një rritje të shëndetshme për gjeneratat e ardhshme.
Çfarë shkaktojnë celuarët te të vegjlit
Ekspozimi i fëmijëve me prirje të çrregullimeve ndaj celularëve dhe ekraneve sjell pasoja të dyfishta: rritje të ankthit, shfaqje të sjelljeve të përsëritura dhe vonesa të mëdha në komunikim dhe ndërveprim shoqëror.
Ekranet e përkeqësojnë situatën:
Rrisin ankthin, sjelljet e përsëritura dhe vonesat në komunikim tek fëmijët me prirje autistike ose me zhvillim të vonuar. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






