Transmetuar më 28-04-2025, 11:09

Tiranë – Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe Universiteti i Mjekësisë në Tiranë kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Qendrën Spitalore Universitare “San Raffaele” dhe Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” në Itali.

Ky bashkëpunim ka për qëllim integrimin e praktikës dhe eksperiencës europiane në shërbimin shëndetësor shqiptar, me objektivin për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientëve dhe për të rritur kapacitetet profesionale dhe akademike të stafit mjekësor.

Marrëveshja synon që QSUT dhe Universiteti i Mjekësisë të bëhen pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të ekselencës në fushën e shëndetësisë, raporton noa.al.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar.

Ai theksoi ambicien për të kthyer QSUT-në në një pikë referimi për gjithë Ballkanin dhe në një qendër ekselence në Europë.

“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë, për QSUT dhe për Shqipërinë. Sot hapim një faqe të re në një rrugë që ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë, në një sistem ku, në të kaluarën, e vetmja vlerë ishte profesionalizmi i mjekëve dhe infermierëve që punonin në kushte shumë të vështira,” u shpreh Rama.

Rama shtoi se ambicia është që kjo qendër spitalore të shndërrohet në një nga pikat kryesore të ekselencës shëndetësore në rajon dhe më gjerë.

Në vijim, Kryeministri tha se pjesë e marrëveshjes është edhe transformimi i Universitetit të Mjekësisë, me synimin që, deri në vitin 2030, Universiteti “Vita-Salute San Raffaele” të përfshihet drejtpërdrejt në të gjitha proceset organizative dhe menaxheriale të këtij institucioni.

Synimi është që studentë nga e gjithë Europa dhe rajoni të kenë mundësinë të ndjekin studimet në Tiranë dhe të pajisen me një diplomë të njëjtë me atë që lëshohet nga Universiteti “Vita-Salute San Raffaele” në Itali, duke kthyer kështu Tiranën në një degë të këtij universiteti të njohur. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit