

Hetimi i kërkuar nga Berisha për "sarajet e Surrelit", përplasje për kompetencat, PD paralajmëron publikimin e një skandali me vetingun
Tiranë – Partia Demokratike ka deklaruar sot se do të publikojë së shpejti një skandal të ri lidhur me procesin e vetingut të një gjyqtareje të përfshirë në çështjen e pronësisë në Surrel.
Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, tha se më 2 shtator 2024, PD kallëzoi penalisht çiftin Rama dhe bashkëpunëtorët e tyre për grabitje prone. Sipas saj, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk e mori çështjen, duke ia kaluar kompetencën Prokurorisë së Tiranës, me arsyetimin se veprat penale lidheshin me bashkëshorten e kryeministrit.
PD akuzon se Prokuroria e Tiranës ka mbajtur çështjen pa veprime për gjashtë muaj dhe më pas ka vendosur mosfillimin e hetimeve në fund të vitit 2024, në shkelje të afateve ligjore.
Pas ankimimit të bërë nga PD, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me gjyqtar Edvan Velçani, vendosi të pranojë ankimimin dhe ta kalojë çështjen për kompetencë pranë GJKKO (Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar).
PD pretendon se pavarësisht kësaj, gjyqtarja Irena Gjika (referuar si “Irena me tre mbiemra” nga Kalaja) ka dërguar dosjen për konflikt kompetencash në Gjykatën e Lartë, duke vonuar procesin.
Sipas PD-së, gjyqtarja në fjalë nuk ka deklaruar në veting disa fakte të rëndësishme si shkarkimi nga detyra në të kaluarën dhe dëbimi nga Greqia, çështje që partia thotë se do t’i bëjë publike shumë shpejt.
Në fund të deklaratës, PD paralajmëroi se do të vijojë të publikojë fakte të reja për gjyqtarë dhe prokurorë që, sipas saj, janë përdorur për të amnistuar pushtetin aktual dhe për të ndjekur politikisht opozitën. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






