

Tiranë – Arrestohet një 23-vjeçar francez për mashtrim kibernetik
Një 23-vjeçar nga Franca është arrestuar në Tiranë, pasi u kap në flagrancë në një bankomat, duke tërhequr para nga një llogari bankare të përfituar përmes mashtrimit.
Sipas informacioneve zyrtare, i arrestuari, Adem Said, kishte dërguar linke të rreme qytetarëve në Shqipëri, duke u prezantuar si filiale bankare, me qëllim marrjen e të dhënave të tyre bankare. Pasi përfitonte të dhënat, ai përdorte kartat dhe aksesin në aplikacionet bankare për tërheqjen e parave.
Pas mashtrimit të qindra qytetarëve në Francë, Adem Said, kishte ardhur në Shqipëri për të tërhequr para nga llogaritë bankare të komprometuara.
Gjatë kontrollit, iu sekuestruan tre telefona celularë të dyshuar si të përdorur për kryerjen e veprimeve të paligjshme.
Ndaj 23-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”. Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






