

"Ky është futbolli, këtë javë vijmë nga tri humbje që dhembin shumë. Megjithatë, skuadra dha gjithçka. Ne vendosëm zemrën në fushë dhe njerëzit e panë. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, përqafimi i tifozëve në fund na bëri shumë mirë. Është një humbje e hidhur, u përpoqëm ta evitonim me zemër dhe bujari.
Lojtarët e mi japin gjithmonë shpirtin dhe për këtë do të kem gjithmonë mirënjohje për ta. Kalendari, mungesat, rivëniet anësore, penalltitë…, nuk ka nevojë të flasim për to, sepse si trajner nuk dua justifikime".
Kështu e analizoi Simone Inzaghi humbjen e Interit në shtëpi ndaj Romës, e treta radhazi mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, e cila u shoqërua më pas me fitoren e Napolit në ndeshjen e vet dhe distancimin me 3 pikë nga kreu i Serie A për zikaltrit.
Tani Interi duhet të përballet me Barcelonën pas tri ditësh: "Nuk ishte e nevojshme ta shihnim Barcelonën mbrëmë, do të shkojmë atje me respekt, por pa frikë. Duhej të ishim më të mirë si skuadër, bëmë shumë presione individuale dhe jo si ekip. Goli i parë erdhi nga një përplasje e rastësishme.
Roma bëri një ndeshje të madhe, ne u përpoqëm dhe meritonim më shumë. Na mungoi qartësia, por duhet të reagojmë pas kësaj jave negative, sepse ka ende ndeshje të rëndësishme në kampionat. Njerëzit e kanë kuptuar çfarë po bëjnë këta djem. Duhet të rikuperojmë energjitë fizike dhe mendore, sepse pjesa e dytë u luajt me shumë bujari".
Mbi problemin e Pavard: "Pësoi një ndrydhje në kyçin e këmbës së majtë, do të shohim në ditët në vijim. Iu përdrodh kyçi i këmbës, gjë që nuk na duhej tani. Për ne është një lojtar shumë i rëndësishëm".
Në konferencën për shtyp, Inzaghi shtoi: "Në këtë moment nuk duhet të mendojmë për rivëniet anësore, penalltitë apo goditjet e dënimit. Duhet ta mbajmë mendjen në fushë. Tani na duhet gjithçka: pushim, freski dhe rikuperim i lojtarëve.
Nuk e di nëse Thuram do të jetë në dispozicion për Barcelonën. Në këtë moment nuk është e përshtatshme të flasim për atë që mund të ndodhë. Duhet të ecim përpara. Duhet të jemi të zotë për të bërë një ndeshje të bashkuar ndaj Barcelonës, ku do të luajmë me shumë respekt, por pa asnjë frikë".
Gabim i madh për titullin: “Aspak. Mbeten edhe katër ndeshje, ende ka shumë për t’u luajtur deri në fund. Do të luftojmë me shumë besim, duke nisur nga sfida me Barcelonën, vajtje-ardhje. Vijmë nga tri humbje radhazi, gjë që nuk na ka ndodhur më parë. Ky është futbolli, duhet të dimë të reagojmë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd