Transmetuar më 27-04-2025, 18:40

Pesë vajza të huaja dënohen me gjobë për ushtrim prostitucioni në Tiranë

Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 1 milionë lekë gjobë secilën pesë shtetase të huaja, të akuzuara për ushtrim prostitucioni në Shqipëri. Tre prej tyre janë nga Kolumbia, një nga Venezuela dhe një nga Rusia.

Të pandehurat, të moshave 24, 31, 33 dhe 34 vjeç, u gjykuan në mungesë, duke u përfaqësuar nga avokatët e tyre, të cilët pranuan marrëveshjen me prokurorinë për masën e dënimit.

Hetimi ndaj tyre nisi në vitin 2022, pasi autoritetet shqiptare morën informacione nga rrjetet sociale mbi aktivitetin e prostitucionit të ushtruar nga shtetase të huaja, kryesisht nga vendet e Europës Lindore dhe Amerikës Latine.

Vajzat qëndronin në banesa të marra me qira në Tiranë për periudha të shkurtra, 1–2 muaj, dhe më pas largoheshin, duke u zëvendësuar nga të tjera, gjë që e vështirësonte dokumentimin e aktivitetit të paligjshëm.

Gjatë hetimeve, të pandehurat deklaruan se kishin mbërritur në Shqipëri përmes agjencive ndërmjetëse, të cilat organizonin udhëtimin dhe akomodimin e tyre. Pagesat për çdo klient varionin nga 200 deri në 1 mijë euro, ndërsa fitimet ndaheshin përgjysmë, duke ia dorëzuar pjesën tjetër një personi rreth 35 vjeç, i cili shkonte tek apartamentet e tyre çdo 7–8 ditë për të mbledhur paratë.

Vajzat thanë gjithashtu se ishin në kontakt të vazhdueshëm përmes Whatsapp-it me një grua që u siguronte akomodimin dhe organizonte takimet me klientët. Të akuzuarat pretenduan se nuk kishin qenë të informuara se prostitucioni përbën vepër penale në Shqipëri.

Për të dokumentuar aktivitetin e tyre, hetuesit përdorën një faqe interneti ku reklamoheshin shërbimet seksuale të ofruara nga shtetaset e huaja. Oficerët e Policisë Gjyqësore ndërmorën veprime të simuluara, duke u paraqitur si klientë, për të identifikuar vendndodhjen e apartamenteve ku ushtronin aktivitetin dhe për të mbledhur prova për ndjekjen penale.

Nga hetimi u zbuluan lidhjet mes vajzave dhe një rrjeti organizatorësh shqiptarë dhe të huaj, që merreshin me rekrutimin, organizimin e udhëtimit, akomodimin dhe ndërmjetësimin e takimeve kundrejt përfitimeve financiare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit