Transmetuar më 27-04-2025, 17:06

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët e Devollit, ka sulmuar ashpër nismën e qeverisë për paqen fiskale, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të legalizuar paratë e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Berisha tha se politikat fiskale të ndjekura nga qeveria aktuale favorizojnë importet në kurriz të prodhimeve vendase, duke përdorur një TVSH të asimetrike që dëmton fermerët shqiptarë.

"Paqja e luksit, paqja fiskale. Çfarë është kjo paqja fiskale? Kjo paqja fiskale është që t’i lirojë trafikantët të legalizojnë paratë e krimit. TVSH-ja, se këta janë, ose kanë adaptuar politika armiqësore ndaj jush. Me TVSH-në asimetrike që kanë vendosur për punonjësit e prodhimeve tuaja, e kanë më të leverdisshme për ta, që më mirë të marrin prodhimet e importit se sa prodhimet tuaja. Merr fund kjo!"

Ai premtoi se me ardhjen në pushtet, TVSH-ja do të jetë e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, duke lejuar rikthimin e saj për prodhuesit vendas.

Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi masa të forta për të mbrojtur bujqësinë:

Kontroll rigoroz mbi importin e inputeve bujqësore, duke ndaluar përdorimin e pesticideve të rrezikshme që dëmtojnë shëndetin dhe eksportin e prodhimeve shqiptare.

Mbrojtje të prodhimeve vendase gjatë sezonit të korrjes, me ndalim importesh që konkurrojnë produktet shqiptare.

Krijimin e një fondi të posaçëm për kompensimin e dëmeve natyrore për fermerët.

Themeli i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, që do të ofrojë kredi të buta me mbulim 80% të interesave nga shteti.

Në fushën e biznesit të vogël, Berisha garantoi:

Çmim të energjisë elektrike 6 lekë për bizneset e vogla.

Reduktim të sipërfaqeve publike me çmime shumë më të ulëta.

Kufizim të tarifave bashkiake në maksimum 1% të xhiros së bizneseve.

Tatim fitimi në masën 10% dhe TVSH 15% për të gjitha bizneset.

Berisha u ndal edhe tek zhvlerësimi i euros në tregun shqiptar, duke akuzuar qeverinë për lejimin e hyrjes masive të “narko-euros”, që sipas tij po dëmton prodhuesit, fasonët dhe ekonominë në tërësi. Ai premtoi kompensim të plotë për dëmet që vijnë nga zhvlerësimi i monedhës.

Në fund të fjalës së tij, Berisha njoftoi se në rast të fitores së opozitës më 11 maj, të gjitha gjobat e vendosura ndaj qytetarëve deri në atë datë do të falen, duke i konsideruar ato të padrejta dhe abuzive. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit