Transmetuar më 26-04-2025, 19:46

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e saj, Nënkomisar Prel Milani, pas publikimit të një shkrimi në rrjetin social Facebook dhe më pas në një portal informativ, në shkelje të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj Nënkomisar Milanit, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në Shkodër.

Ai akuzohet për shkelje të nenit 121, pika 1, germa “m” – "Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi", dhe pika 2, germa “a” – "Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit", të Ligjit nr. 82/2024 "Për Policinë e Shtetit".

Policia e Shtetit thekson se është e angazhuar maksimalisht për të luftuar krimin dhe çdo paligjshmëri, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë, veçanërisht gjatë procesit zgjedhor.

Në zbatim të nenit 6 të Ligjit për Policinë e Shtetit, institucioni i Policisë mbetet i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike dhe në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit